Kërkohet më tepër angazhim nga Qeveria Kurti për mbrojtjen e njohjeve

Kërkohet më tepër angazhim nga Qeveria Kurti për mbrojtjen e njohjeve

Më 16 janar, ministri i Jashtëm i Togos Robert Dussey, deklaroi në Beograd se shteti i tij ka tërhequr njohjen e Kosovës.

“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, tha ai gjatë takimit në Beograd më 16 janar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Që nga viti 2019, Serbia pretendon se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Togo njohu pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 2014 dhe atëbotë kishte qenë pikërisht kryediplomati Dussey që me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e raporteve diplomatike mes dy shteteve.

Kjo deklaratë e Robert Dusseyt ka ngjallur shumë reagime në Kosovë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se çnjohja e Kosovës nga Togos “ka ndodhur në vitin 2019”.

“Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve””, ka shkruar në Facebook, Donika Gërvalla.

Në vitin 2019 Ministër i Punëve të Jashtem ishte Behgjet Pacolli. 

Vet Pacolli për Gazeta “Enigma” ka theksuar se në vizitën e tij të fundit në Togo, më 22 janar nuk ishte diskutuar për ç’njohje të shtetësisë së Kosovës.

“Nuk dëshiroj të hyjë në debat me Z. Gërvalla, ajo duhet të kujdeset për njohjet, ç’njohjet, etj. Herën e fundit e kam vizituar Togon me janar 22 dhe çdo gjë ka qenë në rregull, nuk ka pas tërrheqje të njohjes (pos propagandës së Serbisë) siç thotë z.Gervalla”, deklaroi Pacolli.

Ndërkohë, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, e ka akuzuar një person të quajtur Vladimir Cizelj që “po i shtron tepihun e kuq Serbisë në vende afrikane”.

Zyberaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Cizelj është një biznesmen sllav i cili është “sekser” i Serbisë në Afrikë.

“Nuk është se pritet diçka tjetër nga Serbia, ajo ka këtë formë të politikës së jashtme, duke mbështetur regjime që vrasin njerëz dhe korruptojnë diplomatë”, ka thënë ai.

Analisti politik Imer Mushkolaj në një bisedë për Gazetën Enigma thotë se ministrja Gërvalla me marrjen e mandatit është dashtë që me hulumtu me i kontaktu këto shtete që e kanë kontestu njohjen për me e pa se cila është e vërteta.

“Ministrja Gërvalla kur është ardh në pozitë është dashur me e pas një listë të saktë të shteteve cilat shtete na kanë njoftë, me siguri e ka pasur listën se cilat shtete na kanë njohur. Sidomos këto shtetet që herë pas herë e kanë kontestu njohjen është dashtë me i verifiku me secilin shtet veç e veç, me kontaktu, me diskutu edhe me e pa se cila është e vërteta”, thotë Mushkolaj për Gazetën Enigma.

Ai shton se “Ministrja e ka përgjegjësinë nëse dikush na ka njoftë për me e kultivu atë njohje, respektivisht nëse konsiderohet se është tërhequr njohja, atëherë me e verifiku edhe me i tregu publikut nëse në të vërtetë një prej shteteve, në këtë rast Togo e paska tërhequr njohjen qysh në vitin 2019”.

Ai thotë se e rëndësishme është qasja shtetërore karshi shteteve që na kanë njohur dhe atyre që synojnë ta njohin Kosovën.

Përtej deklaratave individuale kujdo qoftë, në këtë rast edhe ministres Gërvalla kjo çështje është shumë e rëndësishme se kemi të bëjmë me shtetësinë e Kosovës. Ministrat shkojnë e vijnë, mirëpo shumë e rëndësishme është qasja shtetërore karshi shteteve që na kanë njohur dhe atyre që duhet të na njohin”, potencon Imer Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se nëse ka ndodhur tërheqja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Togo në vitin 2019, është dashur që në atë vit të sqarohej nga ministri i atëhershëm Behgjet Pacolli.

Nëse ka ndodhur tërheqja e njohjes është dashur më dalë ministri i atëhershëm edhe me u sqaru, për shkak se në këtë rast po bëhet dëm shumë i madh dhe po bëhet konfuzion shumë i madh në publikë se nuk po dihet sa shtete na kanë njoftë, unë nuk besoj që e dinë as Ministria e Jashtme se sa shtete na kanë njoftë për shkak shpesh-herë për shtete që kemi thanë na kanë njoftë e kanë tërhequr njohjen, pastaj kanë dalë serish duke thënë se ato na kanë njoftur”, shprehet Mushkolaj.

Çdo tërheqje e njohjes që ndodh tasht duke e pasur parasysh ndjeshmërinë procesin e dialogut me Serbinë ose çdo njohje e re  që vjen për shtetin e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme e para për keq e dyta për mirë, kështu që në këtë duhet me pas kujdes institucionet e vendit”, thotë Mushkolaj duke potencuar se duhet pasur kujdes nga institucionet e vendit.

Për t’i shmangur çnjohjet, Mushkolaj thotë se MPJ-ja duhet të punoj më shumë.

Ministria duhet me punu ma shumë për të gjitha këto raste që shfaqen si tërheqjeve të ç’njohjeve. Ka qenë shumë i mirë veprimi i ambasadorëve nëpër vende të ndryshme të botës që i kanë taku ambasadorët e këtyre vendeve që ësht thënë nga Serbia që i kanë tërheq njohjet edhe i kanë konfirmu në një far mënyre që ende qëndrojnë njohjet”, shton Imer Mushkolaj.

Çështja e fushatës për t’i mbrojtur njohjet duhet të kalohet në nivel ambasadorësh, kryeministrash e presidentësh.

Kjo duhet me u ngrit në një nivel tjetër, në nivel ambasadorësh, kryeministrash, presidentësh e kështu më radhë, për shkak se janë shumë të rëndësishme njohjet që vijnë për shtetin e Kosovës, pra nuk është çështje që iu lihet në dorë ambasadorëve sado t’mirë që janë ata, është çështje që duhet me u pa në prespektive në nivele shumë më të larta”, thotë ai.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk po janë ta aftë që t’i kultivojnë raportet as me vendet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

“Dje, Ministri i Jashtëm i Togos njoftoi se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim njohje të reja të vendit tonë. Por, kjo nuk është pjesa më e dhimbshme. Pjesa e dhimbshme është që, edhe në një organizatë si Këshilli i Evropës, ku kemi më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme, edhe përkundër përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, aplikimi i Kosovës vazhdon të mbetet i patrajtuar. Që nënkupton, se ne nuk po arrijmë të mirëmbajmë dhe kultivojmë raportet as me vendet që na kanë njohur”, ka deklaruar Vlora Çitaku./GAZETA ENIGMA/

Related Articles