Nga janari i këtij viti e deri më sot, 51 mjekë janë larguar nga Kosova. E kjo gjë po i shtynë komunat që të hapin shpesh konkurse për rekrutimin e stafit shëndetësor, shkruan Gazeta “Enigma”.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se mjekët që po largohen nga Kosova, po orientohen drejt vendeve të BE-së ku ju ofrohen kushte më të mira.
“Deri më sot janë 51 kolege të ri që kanë marr vërtetimet dhe dokumentacionin e nevojshëm për punësim në shtetet e BE-së”, ka deklaruar Sejdiu.
Ndërsa për konkurset për mjekë në të gjitha komunat, Sejdiu tha se vendi ynë ka nevojë reale për mjekë dhe se konkursi nuk është vetëm për zbutjen e situatës për ikjen e mjekëve.
“Komunat kanë nevojë reale për mjekë”, tha Sejdiu.
Një ndër komunat që ka hapur konkurs së fundmi për rekrutimin e mjekëve është edhe Komuna e Pejës.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma”, ka kontaktuar edhe me drejtorin e Shëndetësisë të kësaj komune, Dr. Petrit Loci, i cili ka deklaruar se konkursi i hapur në këtë komunë në muajin mars për tetë mjekë është i planifikuar nga viti paraprak.
“Konkursi për tetë mjekë në Komunën e Pejës ka dal këtë të hënë. Është konkurs i planifikuar nga viti paraprak për vitin pasues, që do të thotë në bazë të planifikimeve për personel janë paraparë që të rekrutohen tetë mjekë të përgjithshëm për vitin 2023”, tha Loci për “Enigmën”.
Por, sipas tij në hapjen e këtyre konkurseve ndikon edhe dalja e mjekëve në pension dhe lirimi i vendeve të punës me vet dëshirë për një punë tjetër.
“Kjo arsyeja e planifikimeve për mbajtjen në funksion të gjithë qendrave në territorin e Pejës. Pritet me dal edhe një konkurs në muajin e ardhshëm nga ministria, dhe kjo është pas rrezikut të ikjes edhe të një grupi të mjekëve. Ne që të mos biem para kolapsit atëherë i rekrutojmë që ta mbajmë sistemin funksional”, tha Drejtori i Shëndetësisë për Komunën e Pejës.
“Normalisht pjesë e këtyre konkurseve janë edhe dalja e mjekëve të caktuar në pension, dhe lirimi i vendeve të punës me vet dëshirë për ndonjë punësim tjetër qoftë brenda ose jashtë vendit”, tha Loci për Gazetën “Enigma”.
Ndërsa Drejtoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan, Arbenita Hajdari, tha se konkurset e hapura në këtë komunë po hapen për shkak të mugesës të theksuar
Ajo tutje ka shtuar se do të ishte mirë që shteti që ndërmerrte hapa dhe të gjente mënyra për ta parandaluar ikjen e mjekëve.
“Mendoj se edhe ka nevoja për mjekë, por edhe më e mira kish qenë me gjetur mënyra qysh me i ndal mjekët e rinj që të mos dalin jashtë vendit”, ka deklaruar Hajdari për Gazetën “Enigma”.
Sipas saj “të gjithë po dojnë me dal jashtë, çdo mjek i ri që vjen në stazh ose punë vullnetare duke shkuar në kurs të gjuhës gjermane e mendoj se shteti duhet të gjej mënyra qoftë me konkurse ose specializime sadopak të kenë një motivim për të ndenjur këtu!”. / GAZETA ENIGMA.