Sanksione të ashpëra pritet ta ‘godasin’ Kosovën gjatë këtyre ditëve, të cilat do të mbajnë vulën e Bashkimit Evropian. Ndonëse ende s’dihet se me çka parashihet të sanksionet Kosova, Serbia në anën tjetër, përkundër veprimeve të dhunshme, e kidnapimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duket se po ‘ledhatohet’ nga emisarët special të BE-së, shkruan Gazeta Enigma.
Zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë temë diskutimi në tavolinën udhëheqësve të vendeve anëtare të BE-së në një takim që do të zhvillohet sot dhe nesër në Bruksel.
Nga Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave kanë paralajmëruar se do të njoftojë për masat ndëshkuese të përgatitura ndaj Kosovës për shkak të “mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit”.
Kështu të paktën ka deklaruar drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman.
Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.
Koopman tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.
Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.
Çka thotë VV-ja për masat e paralajmëruara?
Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, vlerëson se masat e paralajmëruara nga BE-ja ndaj Kosovës do të ndodhin për herë të parë në historinë e Unionit.
Ajo tha se këto masa po vendosen ndaj Kosovës pse kjo tentoi të vendoste sundimin e ligjit dhe pse respektoi rezultatin e zgjedhjeve.
“Do të jetë hera e parë në historinë e BE-së dhe ndoshta e fundit që Komisioni Europian vendos masa ndaj demokracisë për arsye që nuk mund t’i artikulojnë. Ose, mund të jetë pse: Kosova u përpoq të zgjeronte sundimin e ligjit në territorin e tij; Kosova mbajti zgjedhjet dhe respektoi rezultatet”, theksoi Kursari – Lila.
Racizmi i BE-së, dhe sanksionet e mundshme?
Njohësi i çështjeve politke, Mazllum Baraliu në një deklarim për Gazetën Enigma, ka theksuar se BE-ja, jo vetëm tani por edhe në të kaluarën ka vendosur në disfavor të Kosovës.
Ai thotë se politikat e BE-së gjithherë i kanë shkuar për shtati Serbisë, por jo edhe Kosovës dhe shqiptarëve në pëgjithësi.
“Që nga fillimi në vitet e 90-ta, po edhe pas luftës sidomos ata kanë pasur politika të padrejta, jo parimore e asimetrike ndaj Kosovës, e sidomos duke vazhduar i ashtuquajturi dialog teknik e politik, i kanë intensifikuar veprimet e tyre, i kanë radikalizuar dhe thjesht ndaj Kosovës, jo që nuk kanë qenë të interesuar sa duhet që ta integrojnë në BE, por thjesht kanë qenë jo parimor të padrejtë dhe të njëanshëm”, ka thënë Baraliu.
Ai shton se “Kjo është politikë që ka zanafillë shekullore, Evropa për hirë të së vërtetës asnjëherë nuk ka qenë dashamirëse ndaj shqiptarëve sa duhet, përkundrazi që nga Kongresi i Berlinit, e me radhë, të gjitha konferencat e paqes, të gjitha veprimet i ka bërë në dëm të shqiptarëve dhe ne jemi ku jemi, në shumë pjesë të copëtuar”.
Ai po ashtu ka thënë se BE-ja me qëllim vendos emisar nga shtete që s’e njohin Kosovën, në krye të dialogut Kosovë – Serbi. “Fakti që ne i kemi këto politika të gabuara e të dështuara ndaj Kosovës e Ballkanit në përgjithësi, tregojnë që thjeshtë duke futur qëllimisht njerëz, emisar nga shtete që s’e njohin Kosovën dhe vet BE-ja ka qëndrim më shumë negativ shpeshherë ndaj Kosovës, tregon që ata janë të anshëm, dhe qëllimi i tyre është më shumë racist ndaj Kosovës, dhe kjo duhet thënë zëshëm nga mediat, në mënyrë që të ndryshohet ky diskurs”, potencoi Baraliu.
E duke folur për sanksionet që mund t’i bëhen Kosovës nga BE-ja, Baraliu ka përmendur veçanërisht fondet e IPA-së.
“Fondet e IPA-s mund të shtyhen, por kjo nuk do duhej të ndodhë”, theksoi ai.
“Asgjë s’kanë cka i bëjnë Kosovës, Kosova duhet të qëndrojë në këmbët e saja, dhe të thotë ‘jo’ kur t’i cenohen interesat e saj”, shtoi tutje ai. / GAZETA ENIGMA.