Zero gjasa për formimin e Qeverisë Konjufca – Zgjedhjet në horizont

Zero gjasa për formimin e Qeverisë Konjufca – Zgjedhjet në horizont


Pasi kabineti qeveritar i propozuar me 26 tetor nga Albin Kurti në Kuvend, nuk mori dot 61 votat e nevojshme për t’u miratuar, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër, në tentativën e dytë për të marrë mbështetjen e shumicës në parlament. Por gjasat që Konjufca, të formojë Qeverinë e re të Kosovës, vlerësohen të jenë minimale, shkruan Gazeta Enigma.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca.

Me ish-opozitën e bashkuar rreth idesë për zgjedhje të reja, përpjekja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar ekzekutivin, rrezikon të përfundojë në të njëjtin bllokim politik.

Konjufca ka 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e re qeveritare para Kuvendit, deri më 19 nëntor.

Pas kësaj date, presidentja Osmani mund të shpallë menjëherë zgjedhjet ose të presë deri në përmbushjen e afatit 60-ditor që rrjedh nga emërimi i mandatarit të parë.

Sa janë gjasat e Konjufcës për kryeministër?

Avokati Ardian Bajraktari tha se gjasat janë minimale që Konjufca të merr mbështetjen e Kuvendit, pasi nuk është parë ndonjë tentativë serioze për arritjen e ndonjë marrëveshje.

“Gjasat janë minimale, nuk është parë në opinion ndonjë tentativë serioze në drejtim të arritjes së ndonjë marrëveshje, fundja Presidentes së vendit do të duhej prezantuar diçka e tillë para se kjo e fundit ta mandatonte z. Konjufca”, tha ai.

“Megjithatë me shumë gjasa po rezulton se ishte një kohë e shpenzuar për qëllime elektorale, ndërkohë që epilogu dihej paraprakisht. Nuk janë numrat e nevojshëm”, shtoi ai.

Analisti politik, Leon Duhanaj, i tha Gazetës “Enigma” se propozimi i Glauk Konjufcës nuk ka qëllimin e arritjës së ndonjë rezultati, por ventëm mbajtjen peng të vendit.

“Propozimi i z. Konjufca nuk kishte për qëllim arritjen e ndonjë rezultati. Kryeministri (uzurpator Kurti), nuk la për qëllim stabilitetin e vendit por mbajtjen peng të tij.Në këtë formë, e mbajti për 8 muaj dhe në këtë vazhdë ishte edhe propozimi i Konjufcës, vetëm sa për të shtyrë në kohë”, tha ai.

Tutje, ai tha se Osmani Kurti duhet të jap përgjegjësi për këtë situatë të krijuar.

“Për këtë do të duhej të jepej përgjegjësi politike, edhe Kurti por edhe znj. Presidente Osmani, e cila edhe pse e dinte se nuk ka ndonjë shpresë për reflektim apo bashkëpunim, zgjodhi të bëhet vegël e Kurtit për qëllime politike. Nuk e di ku do ta gjejnë një trohë moral për të dalë e kërkuar votën. Por kur shoh nivelin e emancipimit politik dhe qytetarisë në Kosovë, me keqardhje mendoj se edhe nuk meritojmë më mirë dhe se thënia se çdo popull meriton qeverinë që ka, është më se e saktë për qytetaret e Kosovës”, përfundoi ai.

Zgjedhjet e reja në horizont?

Nëse edhe Konjufca dështon të formojë ekzekutivin e ri, zgjedhjet e reja mbeten opsion i pashmangshëm.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pati paralajmëruar se vendi mund të përballet me zgjedhje parlamentare dy herë brenda muajsh, një ditë pasi dështoi ta fitojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për mandatin e tretë.

“Mbase është për të ardhur keq që do të mundë të kemi, përveç balotazhit [të zgjedhjeve lokale në nëntor], dhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër, edhe zgjedhje në pranverë”, tha Kurti në tetor të këtij viti. /Gazeta Enigma/

Related Articles