Lëvizja Vetëvendosje e bëri sërish atë që pakkush e priste – fitoi rreth 50 për qind të votave në zgjedhjet nacionale, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse jo shumë njerëz prisnin që Koalicioni Vetëvendosje të arrinte votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë e vetme, një gjë e tillë ndodhi.
Nga rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kanë mbetur vetëm edhe dy vendvotime të paprocesuara, del se Lëvizja Vetëvendosje, me kandidatin për kryeministër Albin Kurtin, ka fituar plot 432 mijë e 903 vota, apo thënë në përqindje 49.33 për qind.
LVV la shumë mbrapa partitë e tjera, të cilat në fakt parashikonin rritje për veten.
PDK, me Bedri Hamzën, u radhit e dyta me 20.99 për qind.
LDK, me kandidat Lumir Abdixhikun, pësoi debakël edhe më të madh, duke rënë në 13.57 për qind.
Ndërkohë, Ramush Haradinaj i AAK-së duket se është i kënaqur me kalimin e pragut, duke u renditur i katërti me 5.66 për qind.
Pragun s’arriti ta kalojë Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila grumbulloi vetëm 1.7 për qind të votave.
Por, si arriti LVV që sërish ta marrë një fitore si ajo e 14 shkurtit të vitit 2021?
Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se LVV e vazhdoi edhe njëherë rastin, për të cilin disa doktrina politike, madje edhe themeluesit e këtij sistemi zgjedhor dhe të Kushtetutës, thoshin se “nuk ka mundësi që një parti politike apo një koalicion parazgjedhor të arrijë rreth 50 për qind”.
Për këtë sukses të LVV-së së Albin Kurtit, profesor Baraliu thotë se janë dy faktorë, për të cilët përgjegjëse është opozita.
“Në radhë të parë, gjatë gjithë këtyre katër apo pesë viteve, roli, misionet dhe angazhimet e opozitës ishin shumë fluide, të zbehta dhe jo bindëse, pavarësisht përpjekjeve për ta stigmatizuar qeverisjen e Vetëvendosjes. Nuk arritën ta bindin opinionin publik. Faktori tjetër ishte sjellja e kësaj opozite. Ishte paraliza politike dhe veprimet e padenja, bllokuese e të dëmshme, të pariparueshme për pikëpamjet e votuesve, të cilët tashmë janë shumë më të vetëdijesuar sesa që duket kjo klasë politike, veçanërisht ajo opozitare, e cila degradoi në këto zgjedhje”, tha Baraliu në një prononcim për Gazetën Enigma.
Baraliu thotë se populli vlerësoi se opozita ishte bllokuese dhe penguese e formimit të institucioneve dhe se, pa u menduar për pasojat që mund t’i shkaktonte, për më shumë se një vit shtyu formimin e tyre.
Ai po ashtu tha se opozita nuk tregoi unifikim mes vete për ta bërë një Qeveri, e cila do të mund të formohej, pasi kishte shumicën.
“Por nuk ishin aspak unikë dhe aspak të vendosur; madje, siç duket, ka indikacione se kishin frikë ta bënin një qeverisje, pikërisht për shkak të veprimeve dhe detyrave që i prisnin”, deklaroi Baraliu.
Fituesi më i madh – VV, humbësi më i madh – LDK
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë për Enigmën se fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte VV, ndërsa humbësi më i madh LDK.
“Kjo erdhi si pasojë e mungesës së konsistencës së partive opozitare për të qëndruar të bashkuara rreth temave kyçe kundër qeverisë. Përçarja dhe moskoordinimi i opozitës bënë që fitoret e vogla gjatë bllokadave ndaj VV-së të shndërroheshin në një fitore të madhe për VV-në, gjë që nuk ishte parashikuar nga askush”, tha Muhaxheri.
“Po ashtu, këtij rezultati i ka kontribuar edhe qasja e ashtuquajtur ‘opozitë konstruktive’ e partive opozitare. Me një opozitë të tillë, Kurti jo vetëm që nuk dobësohet, por as nuk bie — përkundrazi, forcohet politikisht”, shtoi ai.
“LDK dhe AAK keqkuptuan mesazhin e 9 shkurtit”
Njohësi tjetër i çështjeve politike, Ylli Hoxha, deklaroi se rënia e LDK-së dhe AAK-së lidhet me faktin se këto dy parti e kanë keqkuptuar rezultatin e 9 shkurtit.
“Atëherë, populli i tha Lëvizjes Vetëvendosje se ‘të duhet edhe një partner për koalicion’. Ndërkohë, tani mesazhi i popullit drejtuar partive opozitare ishte: ‘ne nuk ju kërkonim që të qeverisni vetë, por të jeni pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti’”, tha Hoxha.
Ai thotë se LDK është ndëshkuar më së shumti, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi dy herë bashkëpunim.
“Abdixhiku tha se nuk bashkëpunon as me VV-në e as me PDK-në dhe për këtë është ndëshkuar”, shtoi ai.
Për PDK-në, Hoxha tha se nuk është ndëshkuar, por ka shënuar rritje, ndërsa sipas tij “AAK as nuk është ndëshkuar, e as nuk ka pasur rritje”.
“E ndëshkuar është LDK-ja dhe e shpërblyer është LVV-ja”, përfundoi Hoxha.
Çka me Presidentin?
Pasi të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re, në tavolinë do të jetë çështja e zgjedhjes së Presidentit.
Presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, sot, pas publikimit të rezultateve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, tha se do të kërkojë një mandat të dytë në këtë pozitë.
Ajo tha se për këtë do të kërkojë mbështetje nga të gjithë deputetët, përveç atyre të Listës Serbe.
Por a do ta votojnë partitë opozitare Vjosa Osmanin?
Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se opozita nuk mund të ketë arsye për ta dështuar zgjedhjen e Presidentit, pasi nuk ka argumente për të dalë sërish në zgjedhje.
“Partitë opozitare i kanë humbur të gjitha argumentet para qytetarëve për të dalë edhe njëherë dhe për ta provuar veten para popullit.
Ato do të duhej vetëm të riorganizohen, të riformohen në kuptimin pozitiv dhe t’i kryejnë detyrat e opozitës në interes të vendit”, përfundoi Baraliu. /Gazeta Enigma
