Një i burgosur 84-vjeçar ka vdekur sot në Spitalin Rajonal të Pejës.
84-vjeçari ishte në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Florent Gashi.
“Sot në orën 10:50 në Spitalin e Pejës ka ndërruar jetë një i burgosur në Burgun Dubravës. I njëjti ishte i dënuar me 11 vite burg për kryerjen e veprës penale ‘vrasje e rëndë”, tregoi Gashi.
Ndërkaq, në njoftimin për media bëhet e ditur se i burgosuri ka qenë i shtrirë në Stacionarin e Burgut tërë kohën si pasojë e sëmundjeve të rënda kronike të zemrës, mushkërive, sëmundjeve neurologjike, të prostatës, fytit, si dhe pamjaftueshmërisë së veshkave, sëmundje këto me të cilat ka ardhur në burg në fillim të vitit 2018.
“Si pasojë e sëmundjeve dhe moshës, gjendja e tij ka qenë duke u përkeqësuar në vazhdimësi, ndërsa sot para se të nisej për hemodializë, gjendja e tij nuk ka qenë stabile, me urdhëresë të mjekut kujdestar, me urgjencë është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përcjellje të stafit mjekësor dhe me autoambulancë”.
“Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të stafit në burg, gjatë transportit e edhe në Spitalin Rajonal në Pejë, i burgosuri ka ndërruar jetë. I njëjti është njëri ndër rastet për të cilët është kërkuar ndërprerja e dënimit për shkaqe shëndetësore, por nuk është aprovuar kjo kërkesë.
Gjatë kësaj periudhe është vaksinuar me të dy vaksinat antiCOVID-19. Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërsa, KMDLNJ kërkon që të lirohen nga vuajtja e dënimit të burgosurit me sëmundje të pashërueshme