Bojkoti i PDK-së, pritet ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës

Bojkoti i PDK-së, pritet ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nga 3 korriku i këtij viti nuk do të votojnë as në seanca plenare e as në komisione, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pas mbledhjes së këshillit drejtues, Krasniqi tha se kanë marrë disa zotime për një sërë veprimesh.

“Ne nga sot kërkojmë që në një kohë sa më të shpejt të diskutohet për shpalljen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit të Kosovës, sepse kjo shumicë parlamentare dhe zgjedhjet e kaluara nuk e kanë prodhuar këto institucione për të shkatërruar çdo raport të Kosovës me aleatët dhe partnerët perëndimorë. E dyta, ne nga sot nuk do të votojmë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës.

As në komision e në as në seanca plenare, as ligje e as vendime, as rezoluta, as marrëveshje ndërkombëtare. Asgjë tjetër sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne nuk mund ta simulojmë normalitetin”, ka thënë Krasniqi.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Arbër Thaçin nga Instituti Demokratik I Kosovës tha se bojkotimi I seancave të Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare është I pranueshëm si instrument politik.

Megjithëse nuk mund të përligjim bojkotimin e ndërmarrur nga partitë opozitare të kuptim të vlerësimit të saj, tij në rrethana apo kontekste të caktuara si një mjet politik ai është I pranueshëm, kuptohet që edhe në rrethana ekzistuese përbrenda punës së Kuvendit ai duhet të pranohet si një mjet apo instrument politik”, tha Thaçi.

Tutje ai ka shtuar se mungesa e deputetëve nga radhët e partive opozitare do ta vështirësoj tej mase funksionimin e Kuvendit dhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Mirëpo në kontekstin e punës parlamentare të Kuvendit të Kosovës, mungesa e deputetëve nga radhët e partive opozitare do ta vështirësoj tej mase funksionimin meqë mungesa e tyre automatikisht e bënë të pamundur votimin e marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje tani e disa javë, po ashtu në frymën parlamentare të këtij sesioni kur puna parlamentare është ndeshur vazhdueshëm me mungesën e kuorumit dhe problemet e tjera”, ka deklaruar ai.

Tërheqja e opozitës do ta vështirësoj edhe më shumë punën e shumicës parlamentare kur dihet se kjo e fundit ka pasur vështirësi për votimin e disa projektligjeve.

“Tërheqja e partive opozitare mbase edhe mund të vështirësoj edhe mbajtjen e seancave kur kihet parasysh që shumica parlamentare e cila e përfaqëson ekzekutivin aty vështir se e ka shfaqur vazhdueshëm mungesën dhe shumë shpesh ka treguar vështirësi për votimin edhe të projektligjeve të cilat nuk kërkojnë ndonjë shumicë të kualifikuar”, ka thënë Thaçi për “Enigmën”.

Tutje ai ka theksuar se tërheqja e opozitës do ta vështirësoj edhe mbajtjen e mbledhjeve të zakonshme.

“Prandaj ndoshta në rrethanat ekzistuese tërheqja e partive opozitare nga puna e Kuvendit do të vështirësoj edhe mbajtjen e mbledhjeve krejt të zakonshme të Kuvendit”, ka përfunduar ai. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles