Mbrëmjen e 26 nëntorit, vendi ynë u trondit nga një sulm me armë zjarri që ndodhi në fshatin Gllogjan të Deçanit ku mbetën të vdekur tre persona kurse një tjetër mbeti i plagosur, shkruan Gazeta Enigma.
Të vrarë nga ky sulm mbetën shoferi i autobusit dhe dy nxënës nga tetë sa ishin në autobus në momentin e sulmit.
Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalur përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.
Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.
Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”
Kryetari i fshatit, Mustafë Selmanaj, deklaroi ta ketë parë sulmuesin, i cili shtiu me armë zjarri.
“Autobusi ka qenë ndër rrugë, shoferi ka qenë i vdekur. Ngjarja ka ndodhur afër shkollës së Gllogjanit mes Shaptejt dhe Gllogjanit”, kishte thënë Selmanaj.
Pas të gjitha këtyre të dhënave që u mblodhën nga policia e Kosovës të shtunën, ky institucion erdhi në përfundim se autobusi me nxënës u sulmua nga vetëm një person me armë zjarri të tipit kallashnikov.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, deklaroi se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.
Ai gjithashtu ka refuzuar të tregojë se bazuar në çfarë të dhënash policia ka ardhur në përfundimin se ishte sulmues i vetëm ai që vrau dy nxënësit dhe shoferin e autobusit.
Ndërkaq, i plagosuri që po trajtohet në Spitalin e Pejës ishte goditur në këmbë.
“Mbrëmë e kemi operuar dhe gjendja e tij është stabile. Ka qenë i plagosur në këmbë, për momentin nuk ka ndonjë rrezikshmëri për jetë dhe operimi ka përfunduar me sukses”, ka deklaruar për Enigmën Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti.
Për sulmin e mbrëmshëm ka folur edhe familjarë të viktimavë dhe nxënësit që ishin në autobus.
LEXO EDHE: Biseda e fundit me babanë e nxënses së vrarë – “Për 10 minuta jam në shtëpi, thuaj mamit bëje bukën”
Rrëfimi i personit që e dërgoi njërin nga nxënësit në spital
Shoku i nxënësit të vrarë në Gllogjan: Më tregoi për një problem që kishin shoferët e autobusëve
Të shtunën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti mbajtën konferencë për media për informacionet që deri tash kishin arritur të mblidhnin.
“Tashmë kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme që policia nën direktivat e prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista që policia po i heton”, ka thënë Sveçla në konferencë për media.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i PK-së bëri të ditur se në hetime është më shumë se një pistë.
“Aktualisht ne mund të flasim për dikun dy përkatësisht tri pista dhe të gjitha informacionet jemi duke i mbledhur, aktualisht po bisedojmë për një person por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë që do të thotë se mund të ketë edhe më shumë persona”, deklaroi Mehmeti.
Ai shtoi se “më lejoni të ju informoj se aktualisht jemi duke u përballur me një numër të madh të informacioneve dhe kemi sjellur ekipe shtese të niveleve të ndryshme operative dhe hetimore që të hetojnë provat të cilat i kemi gjetur në vendin e ngjarjes”.
Pas kësaj konference në vendin e ngjarjes u shfaq numër i madh i pjesëtarëve të Njësisë Speciale.
Për vrasjen e trefishtë, numër i madh i personave janë duke u intervistuar, të paktën kështu ka bërë të ditur prokurorja e rastit në Gllogjan të Deçanit, Sahide Gashi.
“Ne me shumë kujdes jemi duke intervistu çdo dëshmitar okular dhe jemi të ndarë në shumë grupe dhe secili prej tyre jemi duke i koordinu veprimet, kemi intervistu shumë persona”, ka thënë Gashi.
E po në këtë ditë, banorët e Deçanit në shenjë proteste dhe solidarizimi me familjet e viktimave kanë ndezur qirinj në fshatin Gllogjan.
Më 28 nëntor, të dielën do të bëhet varrimi i tre personave që humbën jetën si pasojë e këtij sulmi.
“Varrimi i dy viktimave të sulmit makabër, që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, bëhët nesër, ditë e Diel, datë 28.11.2021, në ora 14:00, në varrezat e fshatit Gllogjan.Ngushëllime për familjarët.Ndajmë dhimbjen së bashku”, thuhet në njoftim e bërë nga komuna e Deçanit.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje sërisht dorasit të vrasjes makabre në Gllogjan të dorëzohet në Polici, kurse qytetarëve iu kërkoi që nëse kanë ndonjë informatë lidhje me rastin të bashkëpunojnë me institucionet relevante, që të zbardhin rastin sa më shpejt.
“Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve. Jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar”, ka shkruar Sveçla.
Punëtorët e OSBE-së në Kosovë marrin një e-mail ku paralajmërohen që të evitojnë turmat dhe qendrat tregtar për shkak të rrezikut nga një sulm i mundshëm
Në mediat në Kosovë u raportua se ambasadat kanë lëshuar një e-mail të brendshëm ku kanë paralajmëruar stafin e tyre se një sulm terrorist në Kosovë është i mundur të ndodhë.
U theksua se cak i sulmeve mund të jenë Qendrat dhe mundësia e rrezikut është deri më datë 30 nëntor.
Ndërkohë, u publikua edhe e-maili që iu ishte dërguar punëtorëve të OSBE-së në Kosovë, në të cilin thuhej:
“KËSHILLA PËR SIGURINË – Disa organizata ndërkombëtare po e këshillojnë stafin e tyre për një sulm të mundshëm në qendrat e mëdha tregtare si Albi Mall dhe të tjerat në Ferizaj. Rekomandohet të mos vizitoni qendrat e mëdha tregtare deri më 30/11 përfshirëse. Një “ujk i vetmuar” ekstremist mund të planifikojë një sulm në një nga qendrat tregtare. Policia lokale po monitoron të dyshuarin”
E në anën tjetër që nga data 22 nëntor, Ambasada Amerikane në Kosovë kishe publikuar në faqe travel.state.gov një njoftim për shtetasit e saj ashtu siç bënë zakonisht.
Në këtë njoftim thuhet se shtetasit amerikanë duhet të rishqyrtojnë udhëtimet në disa lokacione, ku kërkohet të bëhet kujdes për shkak të potencialit për trazirë civile për shkak të tensioneve etnike.
Lokacionet që përmendet në këtë faqe dhe kërkohet të bëhet kujdes janë, Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Grupet terroriste vazhdojnë komplotimin e sulmeve të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim, duke synuar vendet turistike, qendrat e transportit, tregjet/qendrat tregtare, strukturat e pushtetit lokal, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, parqet, ngjarjet e mëdha sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë çështje Policia e Kosovës kanë deklaruar se “varësisht nga natyra e informacionit dhe rezultimit të të gjeturave, ndërmerr veprimet e saja operacionale në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform autorizimeve ligjore që ka trajton çdo informacion apo çështje e cila ndërlidhet me fushëveprimin policor”, u tha në përgjigjen e Policisë për Gazetën Enigma.
Kurse, të shtunën në mbrëmje në një fotografi në një Qendër Tregtare në Prishtinë u panë forca të misionit të KFOR-it të cilat sipas informacioneve të siguruara kanë qenë të pajisur me armë automatike dhe anti-plumb, derisa kanë patrulluar nëpër hapësirat e kësaj qendre tregtare.
Ndryshe, ambasadat në Kosovë i njoftojnë punonjësit e tyre sa herë që ka informata për rreziqe të mundshme për sigurinë e tyre.
Tragjedi në Bullgari, 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut vdesin në një aksident
Të paktën 46 persona nga Maqedonia e Veriut mbetën të vdekur pasi një autobus ishte përfshirë nga flakët në një autostrade në perëndim të Bullgarisë.
Nga 52 turistë që ndodheshin në autobus shumica shqiptar me nacionalitete të ndryshme kanë gjetur vdekjen 46 prej tyre, ndërsa 7 kanë pësuar lëndime.
E ky aksident u cilësua si më i rëndi në Evropë në dhjetë vitet e fundit, pasi ka mumrin më të lartë të viktimave.
Shkaqet e aksidentit ende janë të pa qarta por dyshohet se bëhet fjalë për mosfunksionim të autobusit apo gabim njerëzor.
Ndërkohë, u raportua se qysh para 15 viteve shoferët e kishin paralajmëruar ministrin e atëhershëm të transportit të Bullgarisë, Petar Mutafciev se rruga ishte e rrezikshme dhe se ishte çështje kohe që të ndodhte aksident i madh.
Arsyjet pse kjo “autostradë” nuk ishte e certifikuar si e tillë ishte se ajo nuk i ploësonte kushtet, kishte seksion të një cilësie shumë të dobët, dyshemeja e dobët dhe parmakë të butë, të ashtuquajturat sytë e maces nuk pasqyrojnin dritën e fenerëve dhe ishte e vështirë të orientohen, sidomos në qoshe. Kthesat kanë një pjerrësi të kundërt dhe mbledhin ujë.
Në anën tjetër, eksperti Bullgar, Vasko Pirgov që punon administrimin e rrugëve, deklaroi se autobusi që u aksidentua tragjikisht ka qenë duke lëvizuar me 100 km në orë.
Ai kishte thënë poashtu se ka arritur në vendin e aksidentit rreth orës 3:30 të mëngjesit dhe se rruga ka qenë në gjendje perfekte, nga autobusi ka qenë duke rrjedhur nafta, kaldaja ka qenë duke punuar dhe se zjarri ka filluar nga pjesa e përparme.
Kurse, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Siguria nga zjarri dhe mbrojtja e popullatës, kryekomisioneri Nikolaj Nikolov, kishte thëne se një ndër dyshimet kryesore është se ngjarja mund të ketë ndodhur pas përplasjes së autobusit me pengesat pasi në një hapësirë prej 20-30 metrash mungojnë parmakët të cilat dyshohet se autobusi i ka marrë me vete rreth 100 metra larg, nisur nga gjurmët e frenimit.
Kryekomisioneri nuk kishte komentuar shenjat e rrugëve por theksoi se deri më tani ajo që dihet është se zjarri mund të ketë nisur në tubat ose depozitat e naftës.
“Duket se ka informacione se ka pasur depozita apo tuba të naftës shtesë. Me shumë mundësi bëhet fjalë për një mosfunksionim teknik nëse ka ndodhur para aksidentit. Nëse është nga aksidenti, është krejt normale, duke pasur parasysh mungesën e disa parmakeve, të ketë shkëndija, për pasojë autobusi ka marrë flakë”, kishte deklaruar ai.
Në mesin e viktimave nga 46 persona ishin edhe 12 të mitur, 2 nga të cilët ishin binjakë.
Ndërsa, pas disa hetimeve u bë e ditur se kompania e “Besa Transit”, ka transportuar pasagjerë pa leje dhe kjo ka ndodhur më shumë se 100 herë.
Kreu i Prokurorisë, Ljubomir Joveski, deklaroi se Prokuroria e Shkupit po heton nëse mes Besa Transit dhe zyrtarëve ka ryshfet dhe korrupsion dhe si u mundësuan lëshimet për kalimin pa leje të autobusit Besa Trans në kufi.
“Dhe ju siguroj që për çdo person që bëhet fjalë, nëse në veprimin e tij ka elemente të veprës penale, prokuroria do të nisë procedurën përkatëse dhe secili do të mbajë përgjegjësi konform ligjit”, ka theksuar Ljubomir Joveski, prokuror republikan.
Kurse, pronari i “Besa Transit” është në dispozicion të organeve hetuese, ka pohuar Joveski.
Bekim Haxhiu tashmë ka dëshmuar në prokurorinë bullgare dhe deri më tani nuk ka elemente të kryerjes së veprës penale kundër tij.
Ndërsa, Prokuroria Republikane të shtunen ua ka dorëzuar kolegëve bullgarë të gjitha provat e mbledhura, që duhet të ndihmojnë hetimin e kryer nga Prokuroria bullgare.
Mbledhja Vjetore e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, nënshkruhen 13 marrëveshje
Mes shumë ngjarjeve javore, ajo që nuk mbeti pa u diskutuar ditën e premte ishte takimi midis Kosovës dhe Shqipërisë në nivel kryeministrash i cili rezultoi me nëshkkrimin e 13 marrëveshjeve të arritura mes këtyre dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama së bashku me kabinetin e tyre qeveritar kanë mbajtur mbledhjen e shtatë për të diskutuar në lidhje me këto marrëveshje. Takim ky që u mbajt në Elbasan të Shqipërisë.
LEXO EDHE: Të gjitha marrëveshjet që u nënshkruan nga dy qeveritë
Në konferencën e përbashkët pas mbledhjes së dy qeverive shqiptare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur për bashkimin kombëtar.
Ai ka thënë se në një referendum paqësor, do të votonte pro bashkimit kombëtar.
Madje, Rama ka thënë se është i bindur se bashkimi kombëtar një ditë do të ndodhë.
“Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor, unë do të votoja hapur PRO. Në rast se më pyesni se a do të ndodhi kjo, unë them se kjo do të ndodhi, nuk e di kur e si, por se kjo do të ndodhë një ditë. Tani ata që mund ta marrin këtë dhe të dalin e të bërtasin për Shqipërinë e Madhe unë them se fallxhorët nuk dëgjohen”, deklaroi Rama në konferencën për media.
Ndërsa, kryeministri Kurti kishte theksuar se deklarata e tij për bashkimin kombëtar është më shumë një moskuptim sesa keqkuptim. Kurti ka thënë se bashkimi kombëtar nuk është një gjësend, por është një intencë kolektive që na përzgjedh neve.
“Mua më duket që ka një moskuptim se sa një keqkuptim. Ai nuk është një gjësend, është një intencë kolektive që na përzgjedh neve”, tha Kurti.
Ndryshe, mbledhja e qeverive shqiptare ishte e shtata më radhë, dhe u mbajt në qytetin e Elbasanit./Gazeta Enigma/