Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi ka paralajmëruar se një krizë e mungesës së fuqisë punëtore shumë shpejt do ta godasë Kosovën, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Ne kemi dhënë një paralajmërim të tillë para disa ditëve, ku kemi thënë që do të ketë mungesë të puntorëve , mirëpo të tjerët kanë menduar se kemi ndonjë strategji për t’i rritur pagat në sektorin privat”, ka thënë Azemi.
Ai për Gazetën “Enigma” ka treguar numrin e atyre që kanë ikur nga vendi i tyre i punës, për vitet e fundit në Kosovë.
“Në fakt me të dhënat që ne kemi si sindikatë, në 4 vitet e fundit, puntorët me leje pune kanë ikur nga vendi, dikun rreth 200 mijë të sektorit privat. Në vitin 2018-të dhe 2019-të kanë qenë mbi 120 mijë puntorë të sektorit privat që kanë ikur jashtë vendit, ndërsa në vitin 2020 dhe 2021 mbi 70 mijë puntor me viza pune”.
Sipas tij ka shumë pjesë të reparteve në ndërrmarje, që është dashur t’a ndërpresin prodhimin e punës, pasi që puntorëve nuk ua kanë kriju kushtet që duhet.
“Puntorëve nuk u janë kriju kushtet për punë. Këta të fundit, qëllimin e vetëm përfundimtar e kanë pas që të dalin jashtë, dhe me njëfarë forme e kanë arrit atë”, është shprehur ai.
Ndërsa ka shtuar se qeveritë, që nga paslufta e deri më tani, puntorët e sektorit privat të Kosovës i kanë parë vetëm si skllevër”.
“Puntorët nuk kanë gëzuar asnjë të drejtë që e kanë me ligjin e punës. Ata janë konsideruar si skllevër”
“Kam një bindje të plotë, se nëse vazhdohet kështu mbrenda 4 apo 5 viteve, asnjë i ri në Kosovë nuk ka me mbetë dhe klasa puntore do të mbetët me një fuqi puntore të personave mbi 50 vjeç dhe është normale që kjo moshë është pothuajse 50% e dëmtume dhe nuk do të jetë e gatshme për çfardo pune”, ka deklaruar Azemi.
“Të hyrat që i kemi shpenzuar në fukarallakun tonë po i gëzojnë shtetet perendimore”
Azemi ka përmendur disa llogari të bëra nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK).
“Një puntorë, një mjek ose një ingjiner që të profilizohet, për të arritur kulminacionin, duhet shpenzuar mbi 100 mijë euro, dhe këto të hyrat që në i kemi shpenzuar në fukarallakun tonë t’i gëzojnë shtetet perendimore, në veçanti Gjermania, që do të thotë, ajo pa asnjë shpenzim, po e merr një puntorë të kualifikuar, me zero kosto”.
Tutje ai ka thënë se ”qytetarët i humbën shpresat e tyre për tu bërë më mire në Kosovë”.
“Unë jam i vetëdijshëm që ky trend, sidomos në periudhën të vitit 2010 nuk ka qenë shumë i shpërfaqur pasi që njerzit kanë pas një arsye dhe një shpresë që diçka do të ndryshoj për mire, por tani edhe ato shpresa i kanë humbur”, ka potencuar Azemi.
Ndërsa ka theksuar se për 22 vite rresht, sipas tij asnjë Qeveri në Kosovë nuk ka bërë minimumin për këta puntorë.
“Asnjë Qeveri në Kosovë nuk ka bërë minimumin për këta puntorë. Qytetarët e kuptojnë që këtu tek ne nuk ka perspektivë dhe e vetmja rrugë është që të punojnë në Kosovë deri në momentin që i krijohen kushtet për të dal jashtë” ka përfunduar kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi.
Në lidhje me këtë në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, ish-ministri i financave dhe njohës i ekonomisë, Haki Shatri ka deklaruar se sipas tij ekonomia e vendit ka me pas problem për sigurim të fuqisë puntore.
“Mendoj se do të ketë problem për sigurim të fuqisë puntore të kualifikume, për profile të caktume , që kërkojnë më shumë kohë dhe profesionalizëm dhe jo për fuqi puntore të thjeshtë”
“Ndoshta jo menjëherë, por nëse vazhdon ky trend i largimi të njerëzve nga vendi, sidomos i të rinjëve ka mundësi që pas disa viteve, 5 ose 10 vite, të kemi problem edhe për fuqi të thjeshtë puntore, për fuqi krahu”, është shprehur Shatri.
Tutje ai ka theksuar se numri i atyre që largohen nga Kosova është shumë i madh.
“Largimi nga vendi është më i madh se sa numri i lindjeve. Siç po e shohim me zvogëlimin e numrit te nxënësve në shkolla, ky është treguesi më praktik e më real qe dikur edhe vendet e punës do te mbesin pa punëtorë. Ne jemi dëshmitar për shumë klasa në shkolla në Kosovë që po mbyllen ose po mbesin më pak nxënës, më së largu 10 vite sigurisht, kjo dukuri ka me qenë problem shumë serioz”.
Sipas tij, nëse nuk mirren masat dhe nëse nuk ndryshohet diçka në kahje të zhvillimit ekonomik do të jetë një situatë e palakmushme.
“Duhet të mirren masa, përndryshe kemi me qenë në situatë aspak të mirë. Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë asgjë më shumë, se të krijojë kushte për investime të mbrendshme, dhe për investitorët e huaj të krijohen kushte, që me këto investime të hapen vendet e reja të punës edhe me u ndal këta persona që janë duke u larguar”, ka deklaruar ish-ministri Shatri.
Ndërsa ka cekur mungesën e investimeve dhe mungesën e vendeve të punës si arsye kryesore e largimit të qytetarëve nga vendi.
“Pa dyshim që mungesa e vendeve të punës ka ndikuar në këto ikje. Edhe nëse gjejnë punë, pagat janë shumë të ulëta, kushtet janë shumë të vështira për punë, pa një përspektivë, nuk respektohen as ligjet në fuqi për të drejtat e puntorëve”
“Nuk paguhet puna jashtë orarit, nuk respektohen ditët e festave e shumë probleme tjera që ballafaqohen njerëzit në Kosovë”, ka thënë ai.
Ndryshe, ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë të ditur se janë rreth 57 mijë kërkesa për procedurën e shortit të vizave vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit që lëm pas.
Ndërsa, sipas Rregulloes për Ballkanin Perëndimor, për Kosovën janë parashikuar në muaj rreth 460 termine për viza pune. /Gazeta “Enigma”/