Të gjithë sytë kah Kushtetuesja – Ngërçi vazhdon

Të gjithë sytë kah Kushtetuesja – Ngërçi vazhdon

Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, partitë politike kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës plot 29 herë. Teksa epilogu nuk shihet në horizont, të mërkurën e 11 qershorit, pritet të shënohet dështimi i 30-të i këtij procesi, shkruan Gazeta “Enigma”.

Plot 29 herë është tentuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës, me propozimin stoik të LVV-së, që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Kuvendit, mirëpo ky emër nuk shihet si unifikues nga opozita kosovare, çka ka shkaktuar një bllokadë të vazhdueshme politike dhe institucionale në vend.

Opozita kërkon një emër tjetër, ndërsa partia që ka dalë e para nga zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, këmbngulë që Haxhiu mbetet kandidate e përhershme e tyre për ulësen kryesore të Parlamentit.

Topi te Gjykata Kushtetuese

Për të zgjidhur këtë ngërç politik, Lëvizja Vetëvendosje! ka propozuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e opozitës, e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Më 12 maj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për interpretim të çështjes së votimit të fshehtë. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim sa i përket kësaj kërkese, e cila synon të sqarojë ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, si dhe të drejtën e Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar kandidatin për këtë post.

Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, ka deklaruar se kërkesa është në shqyrtim.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni,” tha Dula.

Presidentja në kërkim të zgjidhjes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, po synon gjithashtu të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje. Sipas këshilltarit të saj, Bekim Kupina, ekipi ligjor i Presidentes tashmë ka përgatitur një draft të lëndës që mund të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, po pritet vendimi për pranueshmërinë e kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja, i cili pritet të ndihmojë në sqarimin e aspekteve procedurale të çështjes.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor i Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund të sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra, nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë,” ka thënë Kupina për Gazetën “Enigma”.

Çfarë pritet nga Gjykata Kushtetuese?

Profesori i së drejtës, Mazllum Baraliu, tha se Gjykata Kushtetuese është dashur të japë një përgjigje deri më tani, pasi, sipas tij, nuk bëhet fjalë për një çështje komplekse.

“Deri më tash është dashur të jepet një përgjigje, pasi nuk ka të bëjë me diçka komplekse. Duke e ditur sa kohë po thellohet agonia institucionale, ata është dashur të reagojnë me shpejtësi,” tha ai.

Tutje, ai shtoi se Gjykata duhet të dalë me një vendim për çështjen e votimit të fshehtë dhe t’i lehtësojë punën presidentes, e cila është gati të paraqesë një kërkesë në këtë Gjykatë për zgjidhjen e bllokadës parlamentare.

“Ata duhet të reagojnë në atë mënyrë që të japin një udhëzim nëse qëndrimi i fituesit të zgjedhjeve për procedurën e votimit të fshehtë gjatë procesit është apo jo i drejtë. Kjo më pas do t’ia lehtësonte punën presidentes, e cila është duke përgatitur një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese për të kompletuar pakon e asaj që duhet kërkuar dhe çfarë duhet të bëjë Gjykata për zgjidhjen e bllokadës,” theksoi ai.

Më tej, Baraliu u shpreh se Gjykata duhet të përmirësojë vendimin e vitit 2014.

“Ajo Gjykatë e ka bërë gabimin e vitit 2014 duke lënë një vakuum të madh, i cili tashmë po përdoret dhe keqpërdoret nga të dyja palët, sidomos nga pala fituese, dhe këtë duhet ta përmirësojë në përgjigjen që do të japë për kërkesën e deputetëve të Aleancës,” përfundoi ai në prononcimin për Gazetën “Enigma”.

Partitë “bllok” VV-së – shpresa te Limaj

E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post pasi shihet nga PDK-ja dhe AAK-ja si një “figurë përçarëse”, ndërsa LDK-ja thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se është i gatshëm t’ia japë Lëvizjes Vetëvendosje tri vota për, me qëllim të tejkalimit të krizës disamujore në Kuvend.

Ai është shprehur i bindur se së shpejti do të arrihet marrëveshje politike dhe se Kosova do t’i formojë institucionet.

“Partia e parë duhet të vrapojë të bëjë shumicën parlamentare dhe partia e dytë, e tretë dhe radhazi duhet të largohen nga egot individuale dhe të ofrojnë bashkëpunimin për të dalë nga kriza…Në fund të ditës besoj se po, do të vijmë në një marrëveshje politike. Une besoj që marrëveshja politike do të arrihet, jam i bindur. Besoj që shpejt Kosova do t’i ketë institucionet sepse rrugë tjetër nuk ka”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se Nisma do të japë kontribut në partneritet në Kuvend, por jo në qeverisje.

“Nisma do të jetë pjesë e zgjidhjes, sepse kështu e do Kosova. Ne me tre deputetë s’mund të bëhemi pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes. Nisma është e gatshme të japë kontributin e vetë në partneritet në Kuvend, por jo në qeverisje. Ne nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e qeverisë. Nuk jemi të interesuar të zëmë një pozicion duke shfrytëzuar momentin që kemi”, ka thënë Limaj të hënën në A2CNN.

Limaj ka shtuar se do të mbështesë shumicën për të dalë Kosova nga kriza, duke shtuar se ka komunikuar me përfaqësues të partive politike.

“Asnjëra s’ka shumicë për të krijuar vetë institucione. Kemi një fitues relativ si parti e parë, por që s’e ka shumicën për të krijuar institucione. Në këtë rast, futen në veprim instrumente demokratike si kanë ndodhur gjithmonë, negocimi për marrëveshje politike…Preferenca jonë ka qenë të kemi qeverisje të ndryshme, partia që ka qenë në pushtet i ka 42 për qind. E ato në opozitë kanë më pak vota. Në realitetin e krijuar kam komunikuar me drejtues politik për të gjetur zgjidhje”, është shprehur ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles