Kosova po zhytet në një krizë mjedisore: rreth 500 deponi ilegale po i “ngulfasin” banorët që jetojnë pranë këtyre zonave, të cilët po përballen me erën e rëndë, ujin e ndotur e tokat e kontaminuara bujqësore. Rrëfimet e banorëve dokumentojnë se edhe vend-hedhjet e mbeturinave që janë nën menaxhim shtetëror janë jashtë standardeve të BE-së e pa investime adekuate
Arlinda Kqiku
Banorët e lagjes “Vishnjet” në Gjilan prisnin që të shihnin një park gjelbërues në lagjen e tyre, por në vend të tij, tash e gjejnë një park të stërmbushur me mbeturina.
Në këtë lagje ku jetojnë rreth 4 mijë e 500 banorë është krijuar një deponi ilegale e mbeturinave e përmasave të mëdha.
“Njerëzit në këtë zonë dilnin për shëtitje, e sot këtu kemi kundërmim të jashtëzakonshëm, mbetje të kashëve të prera, mjete ndërtime, e çka jo tjetër”, rrëfen për gazetën banori i kësaj lagje, Demush Vokshi, i cili jeton pranë deponisë.
“Përveç pjesës së rrethuar me gardh është edhe pjesa e çamit, një hapësirë që ka qenë dikur shumë e bukur e gjelbëruar, e sot është degraduar krejtësisht nga mbeturinat e hedhura”, rrëfen 43 vjeçari.
Për gjendjen e krijuar në lagje, banorët kanë dërguar me dhjetra kërkesa tek organet kompetente, të cilat kanë rënë “në vesh të shurdhët”.

Deponia e krijuar në lagjen “Vishnjet” në Gjilan – Data: 15.09.2025
Banorët e kësaj lagjeje nuk janë të vetmit në Kosovë që përballen me problemet e mbeturinave pranë vendbanimeve të tyre. Deponitë ilegale kanë “lulëzuar” në vend ndër vite, ndërkohë që autoritetet kanë dështuar në adresimin e plotë të këtij problemi përkundër zotimeve, veçmas në fushatë elektorale.
Gjilani urban – Parku i shndërruar në kosh plehrash
Me mbeturina të hedhura vend e pa vend përballen edhe banorët e lagjes “Freskia” të Gjilanit, e cila lidh rrugën e Ferizajt dhe atë të Kumanovës.
Kimete Ibrahimi, rreth të 30-tave, banore e kësaj lagjeje, thotë se situata me mbeturinat është bërë e padurueshme dhe ka ndryshuar krejt pamjen e lagjes.
“Më tmerruese e bënë fakti që kemi një park shumë të bukur, por pothuajse në çdo skutë të tij hasim mbeturina të ndryshme. Kjo është e rëndë për të gjithë qytetarët që kalojnë këtu, e sidomos për fëmijët”, rrëfen ajo.
Se ka probleme me manxhimin e mbeturinave në Gjilan e ka konfirmuar edhe kryetari i komunës, Alban Hyseni.
“Sa i përket mbeturinave inerte kjo është një problematikë qe e kemi si qytet. Numri i deponive ilegale është në rritje për çdo ditë. Vazhdimisht kemi bërë përpjekje që t’i eliminojmë por prapë paraqiten dhe problemi kryesor është që deponia që ka qenë për mbeturina internte tashmë është mbyllë”, theksoi ai në një intervistë për gazetën më 24 shtator, 2025.
Ai fajin për menaxhimin e dobët me mbeturina e hedh edhe tek partitë që ishin në opozitë që sipas tij “se kanë votuar në Kuvend lokacionin e ri”.
“Zgjidhja jonë për këtë në mandatin e ardhshëm është ndriqimi publik dhe kamerat e sigurisë”.
Deponi legale – pranë shtëpive në Ferizaj
Edhe në fshatin Gërlicë të Ferizajit, ku mbi 200 familje përpiqen të ndërtojnë një jetë normale, mbeturinat janë kthyer në makthin e përditshëm.
“Mallë e kemi me dalë jashtë në mbrëmje prej kanalizimit dhe deponisë. Vjen një erë që s’durohet”, thotë Fehmi Berisha, rreth të 60-tave, banor i fshatit.
Pamja e deponisë e cila ndodhet në më pak se dy kilometra nga 200 shtëpitë e fshatit, nuk është e shëmtuar veç për sy.

Foto: Gjendja e deponisë në Gërlicë të Ferizajit më datën 27.09.2025
Më e rënda, sipas Berishës, është ndotja e ujit të bunareve – burimi i vetëm në këtë fshat ku ujësjellësi nuk funksionon.
“Kjo gjendje po shkakton probleme dhe po i sjell edhe qentë e egërsirat, erat e kqija që lirohen, po edhe arat po na dëmtohen nga uji që lirohet prej mbeturinave të mbledhura aty”, shton ai.
Që nga paslufta banorët kanë protestuar disa herë, por që sipas tyre institucionet asnjëherë nuk kanë marrë hapa konkretë.
Kjo deponi në fshatin Gërlicë të Ferizajit, shërben si stacion i transferit të mbeturinave të qyteteve përreth dhe funksionon në kuadër të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë.


Mbeturinat tek rruga e Trenit, Gërlicë, Ferizaj – Data 27.09.2025
Nga Komuna e Ferizajit, theksojnë se përgjatë 4 viteve të fundit nga mbi 40 deponi, numri është zvogluar dukshëm në 11 sosh.
Në kuadër të masave parandaluese, Komuna thekson se janë vendosur kamera vëzhguese në disa zona dhe janë shqiptuar gjoba mandatore për ndotësit.
Borxhe milionëshe, mungesë investimesh
Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) që merret me grumbullimin, transportin, trajtimit, depozitimin dhe riciklimin e mbeturimave ankohet se sfidat përgjatë punës së tyre janë të mëdha. Krahas sfidave, ata përmendin mungesën e investimeve dhe borxhet milionëshe të ndërmarrjeve rajonale të mbeturinave.
“Deponitë janë menaxhuar për një kohë të gjatë jashtë standardeve, pa plane e investime adekuate. Sot po punojmë në sanim dhe rehabilitim,” – thuhet në përgjigjet me shkrim të KMDK-së për gazetën.
Një problem serioz, sipas kompanisë, janë borxhet e papaguara. “Vetëm KRM ‘Pastrimi’ i ka mbi 1.9 milion euro borxh ndërmarrjes sonë. Borxhe ka edhe ‘Pastërtia’. Kjo dëmton aftësinë tonë për të operuar efikas”.
Ata theksojnë se në Prizren gjendja ka qenë alarmante. “Rrezik shembjeje, erë me kilometra larg, por sot deponia është transformuar. E njëjta po ndodh edhe në Velekincë”.
Ndërkohë banorët e Velekincës së Gjilanit janë ankuar vazhdimisht për zgjerimin e deponisë.

Deponia e Velekincës, Gjilan – Foto: BIRN
Por KMDK thotë se është në proces rehabilitimi me mbështetje të KfW, BE-së dhe Qeverisë së Kosovës.
“Qeliza e vjetër do të mbyllet sipas standardeve dhe do të hapet një qelizë e re moderne. Planifikojmë edhe impiant për trajtimin e ujërave e gazit, makineri të re dhe panele solare.”
KMDK ofron shërbimet e veta në 5 deponi regjionale. Në deponinë e Mirashit – Prishtinë, në Dumnicë – Podujevë, Landovicë – Prizren, Velekincë – Gjilan dhe në stacionin e Transferit në Ferizaj.
“Kalabria është shndërruar në deponi”
Rritja e shpejtë e numrit të banorëve në Prishtinë ka krijuar presion të madh mbi sistemin e menaxhimit të mbeturinave dhe pasojat po ndihen përditë në lagje si Kalabria, Mati 1, Bregu i Diellit e shumë të tjera.
Violeta Hyseni-Kelmendi, banore e lagjes Kalabria thekson se situata është e kahmotshme dhe po bëhet gjithnjë e më shqetësuese për banorët.
“Problemet me mbeturinat në lagjen Kalabria janë disavjeçare. Lagjja është rritur për nga numri i banorëve, ndërsa numri i kontenjerëve dhe lokacionet ku janë të vendosura ato nuk është proporcionale. Duke qenë se kontenjerët mbushen shpejt, mbeturinat dalin jashtë e sidomos nëse ato nuk mblidhen brenda 24 orëve”, rrëfen ajo.
Për Kelmendin, problemi nuk është vetëm pamja e shëmtuar e lagjes, por edhe rreziku i drejtpërdrejtë shëndetësor.

Grumbullimi i mbeturinave në lagjen “Kalabria”, shtator, 2025, Prishtinë
“Përveç që duken jashtëzakonisht keq dhe i jepin një pamje të shëmtuar lagjes, ato përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Aq më tepër që lagjja kundërmon edhe ashtu për shkak të ujërave të zeza që mbesin të patrajtuara në mungesë të ndërtimit të kolektorit”, shton tutje ajo.
Ajo tregon se dy vite më parë kishte kërkuar zgjidhje nga institucionet, por zgjidhja ishte momentale.
Ndërkohë se si e parashohin zgjidhjen afatgjate nga Komuna e Prishtinës nuk janë përgjigjur në interesimin e gazetës.
Në shkurt të vitit 2025 kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi gjendje të jashtëzakonshme me mbeturinat për shkak të krizës që kishte paralizuar shërbimin publik të pastrimit.
Atëkohë kompania publike “Pastrimi” ndaloi mbledhjen e mbeturinave për disa ditë në shumë lagje të Prishtinës, si shenjë proteste, pasi komuna i detyrohej “Pastrimit” rreth 2.7 milionë euro.
Për disa javë, lagje të tëra si Bregu i Diellit, Ulpiana, Dardania, Veterniku u përballën me grumbullime të mëdha mbeturinash.
Rreth 500 deponi gjithandej Kosovës
Sikurse kryeqyteti, Komuna e Gjilanit e Ferizajit, probleme të ngjashme me menaxhimin e mbeturinave, vend-hedhjet ilegale dhe mbeturinat vëllimore kanë pothuajse secila komunë e Kosovës.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në një përgjigje për gazetën kanë bërë të ditur se në vitin 2025 janë evidentuar 458 vend-hedhje ilegale te mbeturinave.
“Kampione” në numrin e vend-hedhjeve ilegale të mbeturinave është Prishtina me gjithsej 154 sosh.
Komunat tjera me numrin më të madh të vend-hedhjeve ilegale të mbeturinave të raportuara janë; Prizreni (78), Lipjani (76), Podujeva (40), Dragashi (37) dhe Gjakova (36).
Nevojë për veprim urgjent
Shumica e deponive në Kosovë janë të hapura, pa mbulim të përditshëm dhe pa trajtim të ujërave të ndotura gjë që sipas Luan Hasanaj nga “Let’s Do it Kosova”, ndikon drejtpërdrejt tek komunitetet përreth.
Ai thekson se Mirashi në Obiliq është ndër zonat më problematike, por situata është shqetësuese edhe në Gjilan, Prishtinë, Pejë e qytete të tjera.
“Aktualisht kemi mbi 500 deponi ilegale në Kosovë dhe shumë prej tyre janë bërë burim erërash të këqija, rrezik infeksionesh nga kafshë endacake dhe insekte si dhe rrjedhje ujërash të ndotura, që e përkeqësojnë cilësinë e ajrit dhe të ujit,” shton ai.
Hasanaj thekson se mungesa e vullnetit politik dhe e fondeve e pengon trajtimin e këtij problemi.
“Duhet të hartohet një plan i qartë për stimulimin e ekonomisë qarkore me investime serioze dhe përkrahje për bizneset e kësaj fushe. Është e domosdoshme forcimi i kapaciteteve të ndërmarrjeve të pastrimit, vendosja e kamerave në zonat ku ndoten më shumë dhe krijimi i Policisë së Gjelbër”
Mbeturinat “armiku” i shëndetit
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës menaxhimi jo i duhur i mbeturinave në Kosovë krijon kushte ideale për zhvillimin e baktereve, parazitëve dhe insekteve, duke rritur rrezikun për sëmundje infektive si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksionet e traktit respirator.
Sipas Institutit “djegia e mbeturinave lëshon tym dhe gazra të dëmshme, si dioksina dhe furani, që mund të shkaktojnë alergji, probleme kronike të frymëmarrjes dhe, në raste të rralla, sëmundje kancerogjene”.
Se situata me vend-hedhjet ilegale të mbeturinave në Kosovë është e rëndë e potencon edhe profesori universitar, Zeqir Veselaj, i cili është ligjërues i Edukimit Mjedisor në Universitetin e Prishtinës.
Veselaj vlerëson se efekti i parë, më direkt dhe më i dukshëm është ndotja vizuele. “Prishja e peizazhit nga vend-hedhjet e mbeturinave madje edhe në zonat më të bukura natyrore. Me kalimin e kohës, varësisht nga përbërja e tyre ato ndotin dheun e nëse qëndrojnë shumë gjatë si pasojë e reshjeve dhe kullimeve nga to mund të ndoten edhe ujërat nëntokësore”.
Sipas profesorit “duhet një sistem efikas i zbatimit të ligjit dhe inspektimit për “krijuesit” e vend-hedhjeve ilegale dhe dënime meritore kur zihen në flagrancë ose kur identifikohet burimi i krijimit të një vend-hedhjeje mbeturinash”.
Ai po ashtu thekson nevojën për krijimin e një deponie për mbeturinat e ndërtimore “që po mbijnë gjithkah në kohën kur ndërtimet e larta janë në kulmin e tyre anembanë vendit”.
Problemet e Kosovës në menaxhimin e mbeturinave sipas BE-së
Përkundër investimeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndër vite për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, situata në shumë komuna mbetet e rëndë.
Sipas BE-së sistemi i menaxhimit të mbeturinave është i nën financuar.
“Vetëm disa deponi kërkojnë tarifa hyrjeje, të cilat mbulojnë vetëm koston bazë të menaxhimit të deponisë, pa parashikuar ndonjë kujdes pasuese. Për mbledhjen e mbeturinave, nuk ekziston një sistem “paguaj sipas hedhjes”.
Megjithatë, sipas tyre Kosova po performon mirë në aspektin e mbulimit të mbledhjes së mbeturinave komunale dhe ka bërë disa përparime në kufizimin e numrit të deponive të paligjshme.
Ndërkohë BE-ja ndër vite ka financuar një seri projektesh që synojnë përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës, sigurimin e pajisjeve dhe ndihmë teknike për komunat.

Grafikë: Investimet e BE-së në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë nga viti 2018 (Ilustrimi: Enigma)
Nevoja evidente për rritjen e buxhetit për menaxhim të mbeturinave
Kosova e “ngulfatur” me rreth 500 deponi ilegale në gjithë vendin, ballafaqohet edhe me probleme elementare në deponitë sanitare ekzistuese, të cilat funksionojnë me kapacitete të kufizuara dhe shpesh jashtë standardeve. Borxhet milionëshe të ndërmarrjeve rajonale ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive e vështirësojnë edhe më shumë situatën.
Disa nga problemet kryesore të deponive në Kosovë, sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AAMK) janë: mungesa e trajtimit të ujërave të zeza, mungesa e rrethojave, ngritja e nivelit të gazrave të dëmshme, prezenca e qenve endacak, shpezëve dhe insekteve në deponi që kontribuon në përhapjen e infeksioneve dhe ndotjen mjedisore, mosmbulimi i përditshëm, mosndarja e mbeturinave – përfshirë ato mjekësore si dhe mungesa e vendosjes së shenjave të rrezikshmërisë në afërsi të zonave.
Si zgjidhje Bashkimi Evropian rekomandon të sigurohen burime financiare dhe njerëzore për zbatimin e Strategjisë Integruese të Menaxhimit të Mbeturinave 2024-2035; dhe së dyti, “të shfrytëzohet Ligji i ri për Mbeturinat për të vendosur sistemin e menaxhimit të mbeturinave në rrugën e duhur”.
Që strategjia të jetë e sukseshme sipas BE-së kërkohet një investim prej 140.69 milion euro për vitet 2024–2026 dhe 253.35 milion euro për vitet 2027–2030.
Strategjia e përmendur nga BE, është Strategjia e Menaxhimit të Integruar të Mbeturinave (SMIM) për periudhën 2021–2030 më 28 maj 2021.
Rahoveci – shembull pozitiv për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë Komuna e Rahovecit e cila është dukshëm më e vogël se shumë komuna të tjera në Kosovë, me 276 km2 po ndjek një formë ndryshe për menaxhimin e mbeturinave, e cila për ta po funksinon. Komuna e Rahovecit ka vënë në funksion deponinë e mbeturinave të vëllimshme, ku edhe qytetarët kanë mundësinë të dorëzojnë vetë mbeturinat e vëllimshme direkt në deponi. Të gjitha mbeturinat dërgohen në deponinë legale për mbeturina të vëllimshme, e cila gjendet përgjatë rrugës Rahovec – Drenoc. Po ashtu kompania ka angazhuar punëtorë të specializuar për riparimin e tyre. “Orenditë e riparuara më pas dhurohen për persona dhe familje në nevojë, duke kontribuar kështu jo vetëm në menaxhimin më të mirë të mbeturinave, por edhe në ndihmën sociale brenda komunitetit”, theksohet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Rahovecit. Në Rahovec janë evidentuar gjashtë deponi ilegale.

