A priten befasi nga zgjedhjet e 28 dhjetorit? – Flasin analistët për Enigmën

A priten befasi nga zgjedhjet e 28 dhjetorit? – Flasin analistët për Enigmën

Ka mbetur më pak se një muaj deri në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Tani më është mbyllur afati për koalicione, ku për këto zgjedhje përpos Lëvizjes Vetëvendosje partitë tjera do të garojnë të vetme në këto zgjedhje. Tabloja e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit me shumë gjasë sipas analistëve pritet të jetë përsëritje e rezultatit të 9 shkurtit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet e 28 dhjetorit ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), ndërsa PDK, LDK, AAK dhe NISMA do të garojnë të vetme, me disa individ ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.

“Tabloja e Parlamentit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të jetë e njëjtë me ato të 9 shkurtit”

Analisti Bekim Kabashi, ka komentuar skenën politike pas certifikimit të subjekteve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma” Kabashi deklaroi se dallimi i vetëm i këtyre zgjedhjeve është se AAK garon e vetme në këto zgjedhje, e cila rrezikon kalimin e pragut parlamentar.

“Partitë politike nuk kanë bërë ndonjë ndryshim thelbësor nga zgjedhjet e kaluara. Dallimi i vetëm thelbësor është ai se AAK kësaj here shkon e vetme në zgjedhje, dhe kjo e rrezikon kalimin e pragut parlamentar”, theksoi ai.

“Ndërsa koalicioni që ka bërë LVV, nuk është që pritet të jap ndonjë rezultat me ndryshim të madh, pasi numri i votave qëmund të tërheq PSHDK është i kufizuar. Tabloja e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit me shumë gjasë pritet të jetë njëreplikim i rezultatit të 9 shkurtit”, deklaroi Kabashi.

“NISMA rrezikon pragun, AAK e kalon por me rrezik, VV në rënie, PDK e LDK me rritje”

Analisti politik Shkëlzen Maliqi, në një deklaratë për Gazetën “Enigma” tha se NISMA Socialdemokrate është pothuajse e pamundur të kalojë pragun zgjedhor. Ndërsa AAK-ja sipas tij qëndron më mirë, megjithëse jo pa rrezik.

“Nuk kalon, shumë vështirë me kalu vetë NISMA sepse i ka vetëm 2–3%. AAK-ja ka gjasë me kalu sepse ka shtrirje, eventualisht ka gjasa me kalu pragun, rrezikohet nga pak edhe pse zgjedhjet lokale dhe qendrore dallojnë”, u shpreh Maliqi.

Sipas Maliqit Lëvizja Vetëvendosje pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të votave të vitit 2021. Duke iu referuar sondazheve aktuale ai tha se partitë opozitare do të kenë ngritje në këto zgjedhje.

“VV ka me rënë edhe pak sepse nuk janë ato votat e 2021 që ia ka sjellë Vjosa dhe Guxo; i ka humbur 5–6 përqind në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti. Edhe vetë brenda VV-së ka të pakënaqur… s’ka mbetur askush nga të parët e VV-së. Janë rreth 38% sipas një ankete që kam parë, i humbin edhe 7 deputetë, mund të dalin të parët”, deklaroi Maliqi për Gazetën “Enigma”.

Tutje ai ka theksuar se “sipas anketës rritje ka edhe PDK edhe LDK”.

Vota e diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Analisti Shkëlzen Maliqi ka deklaruar tutje se vota e diasporës nuk ndikon edhe shumë, edhe pse po mendohet se e gjithë diaspora janë më LVV. Në diasporë ka votues edhe të partive tjera.

Deklaratat se “krejt diaspora janë votues të LVV-së”, sipas Maliqit është propagandë.

“Deri diku ndikon diaspora, por jo aq shumë… po mendohet se gjithë diaspora janë LVV. Ajo ka punu pak më shumë, por s’e ka disponimin. Ka njerëz edhe nga diaspora që i votojnë partitë tjera. Votat e tyre janë 2–3% plus-minus, pra s’janë vendimtare. Nuk është aq e sigurt, por është propagandë dhe bindje se krejt diaspora është LVV”, theksoi Maliqi.

“Shpesh krijohet përshtypja se diaspora trajtohet nga LVV si pronë e tyre politike”

“Thirrja e hapur që po u bëhet bashkatdhetarëve në diasporë nga Lëvizja Vetëvendosje për ta mbështetur këtë subjekt tregon se partisë po i rrëshqet diaspora nga duart dhe se nuk është më elektorati “i sigurt” që e kanë konsideruar për vite me radhë. Në fakt, shpesh është krijuar përshtypja se diaspora trajtohet si pronë e tyre politike, si një votë e garantuar me tapi”, deklaroi analisti Arton Muhaxheri.

Por sipas tij realiteti ka ndryshuar.

“Diaspora tashmë prej kohësh ka filluar ta shpërndajë votën nëpër të gjitha partitë, duke votuar sipas bindjes, jo sipas presionit apo emocionit partiak. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë herë: vota e diasporës do të jetë shumë më e fragmentuar dhe shumë më pak e kontrollueshme nga cilado parti, përfshirë Vetëvendosjen”, ka theksuar ai.

“Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin një ndryshim të dukshëm në raport me zgjedhjet e fundit”

Muhaxheri në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se partitë opozitare kanë gjasa reale të rrisin rezultatin, ndërsa rënia për koalicionin VV–Guxo–Alternativa dhe PSHDK duket e pashmangshme nëse trendet vazhdojnë kështu.

“Ajo që mund të thuhet në këtë fazë është se fakti që partitë – përveç LVV-së – kanë zgjedhur të garojnë pa koalicione formale nuk është domosdoshmërisht dobësi. Secila po tenton ta maksimalizojë votën në mënyrën e vet: disa përmes prurjeve të reja, disa përmes rifreskimit të listave, e disa duke synuar votues të zhgënjyer nga cikli i kaluar”, deklaroi Muhaxheri.

Tutje ai ka theksuar se nga ajo që shihet aktualisht, zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin një ndryshim të dukshëm në raport me zgjedhjet e fundit.

“Partitë që deri tani kanë qenë në opozitë kanë gjasa reale të rrisin rezultatin, ndërsa rënia për koalicionin VV–Guxo–Alternativa dhe PSHDK duket e pashmangshme nëse trendet vazhdojnë kështu”.

Kujtojmë se partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë në KQZ listat për deputetë me të cilat garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Gazeta Enigma/

Related Articles