Ku po fluturojnë krahët e Vjosa Osmanit?

Ku po fluturojnë krahët e Vjosa Osmanit?

Ku do të “zbresë” politikisht ish presidentja Vjosa Osmani në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen brenda 45 ditësh? Kjo është dilema që po dominon diskutimet në opinionin publik kosovar. Ndonëse mbetet pothuajse e sigurt se ajo nuk do t’i largohet skenës politike, sinjalet e fundit lënë të hapur mundësinë e një rikthimi të bujshëm të saj në Lidhja Demokratike e Kosovës, partinë ku hodhi hapat e parë dhe ndërtoi profilin e saj politik, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pjesëmarrjen e saj në skenën politike tërthorazi po e paralajmron vet Osmani tash e disa ditë në faqen e saj të “Facebook-ut”, ku vazhdimisht njofton për takime rreth Kosovës me qytetar të profileve të ndryshme. Kështu bëri të mërkurën, e po kështu bëri dhe sot.
Ajo përmes një video-mesazh të publikuar të mërkurën, foli për një “mision” që, sipas saj, duhet të bashkojë qytetarët përtej ndarjeve politike dhe tensioneve të krijuara në vend, deklaratë e cila paralajmëron involvimin e Osmanit në një listë të re zgjedhore.

“Mjaft më me urrejtje, mjaft më me propagandë, me përqarje, me ndjellje të frikës, mjaft më. Të sjellim dashni e vetëm dashni për njëri tjetrin dhe vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë, e aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Ajo ka ftuar qytetarët t’i bashkohen misionit të saj. “Ju ftoj të bashkoheni në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli”, përfundoi Osmani.

Kurse sot, Osmani theksoi se “bazamenti më i fortë i angazhimit tim do të mbetet lidhja me qytetarët, sepse Kosova është atdheu ynë i përhershëm”.

Përjashtimi i Osmanit nga LVV

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Ajo nuk gjeti mbështetje nga mazhoranca për mandatin e dytë dhe si pasojë ndodhi përplasja politike mes dy “gjigantëve” politik në Kosovë, Osmanit dhe Kurtit.

Dëri në fund të afatit për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Pas këtyre zhvillimeve dinamike, ish-presidentja Osmani kishte deklaruar se do të përballet me kundërshtarët politik në listat zgjedhore, e një përafrim i saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duket se është real.

Osmani e cilësoi si një moment të rëndë për Kosovën, pas pamundësisë së Kuvendit për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, çka çoi vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Ajo tha se populli i Kosovës ka kaluar sfida edhe më të mëdha dhe se tani është koha për të rikthyer shpresën dhe unitetin.

Në mesazhin e saj, presidentja theksoi se vendi ka nevojë për më shumë dashuri ndaj atdheut dhe më pak propagandë, urrejtje, përçarje dhe frikë. Sipas saj, aty ku ka urrejtje duhet të sillet dashuri për vendin, aty ku ka frikë duhet të rikthehet shpresa, ndërsa aty ku ka propagandë dhe shpifje duhet të mbrohet e vërteta.

Ajo u shpreh se qytetarët duhet të bashkohen në këtë mision, duke e përkufizuar atë si përpjekje për të hapur rrugët që, sipas saj, janë mbyllur nga padrejtësitë.

“Rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, hapen nga populli”, deklaroi Osmani, duke lënë të kuptohet se vendimmarrja për të ardhmen politike të vendit duhet të mbështetet te vullneti qytetar dhe jo te kalkulimet politike.

Cili është “misioni” i Osmanit?

Analisti Arton Muhaxheri tha për Gazetën “Enigma” se misioni për të cilën foli Osmani synon të krijoj një lidhje emocionale me qytetarët.

“Kur flet për “mision”, Osmani në fakt po ndërton një narrativë përtej mandatit formal. “Misioni” nuk është vetëm institucional, por synon të krijojë një lidhje më emocionale me qytetarët – një lloj legjitimiteti që buron nga mbështetja popullore dhe jo vetëm nga procedurat kushtetuese. Kjo mund të funksionojë në mobilizim, sidomos nëse kriza zgjatet, por ka një kufi: qytetarët lodhen shpejt nga retorika nëse nuk shohin rezultate konkrete. Pra, si instrument politik, “misioni” ka potencial, por jo pafundësi”, tha ai.

Muhaxheri shtoi se mesazhi i saj pas dështimit të zgjedhjes së presidentit në thelb pati pozicionim të kujdesshëm politik.

“Mesazhi i Vjosa Osmani pas dështimit për zgjedhjen e presidentit ishte i ndërtuar në një vijë të dyfishtë: në sipërfaqe thirrje për unitet, në thelb pozicionim i kujdesshëm politik. Gjuha e përdorur ishte përfshirëse, por konteksti në të cilin u dha – një bllokadë institucionale me përgjegjësi të shpërndara – e bën të vështirë të lexohet si thirrje neutrale. Ishte më shumë një përpjekje për ta mbajtur rolin e arbitrit moral, duke mos u konsumuar drejtpërdrejt në konflikt, por njëkohësisht duke e ruajtur kapitalin politik për zhvillimet që mund të vijnë”, tha ai.

Tutje, Muhaxheri tha se pozicionimi i Osmanit me LDK-në në zgjedhjet e ardhshme do i jepte siguri, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje si e pavarur, do i jepte më shumë kontroll por me rrezik më të madh.

“Sa i përket një skenari ku Osmani futet në garë zgjedhore, ajo do të përballej me një dilemë strategjike. Me Lidhja Demokratike e Kosovës do të kishte një bazë të gatshme strukturore dhe elektorale, por edhe kufizime për shkak të historisë dhe tensioneve të brendshme. Nëse shkon e vetme, ka më shumë liri dhe mund të kapitalizojë imazhin e saj si figurë mbi partitë, por rrezikon fragmentim të votës dhe mungesë infrastrukture. Në terma të pastër elektoralë, LDK i jep siguri; në terma politikë afatgjatë, një projekt i pavarur mund t’i japë më shumë kontroll – por me kosto më të lartë dhe rrezik më të madh”, shtoi ai.

Muhaxheri tha se përgjegjësia për moszgjedhjen e presidentit i bie edhe opozitës, por jo plotësisht.

“Sa i përket opozitës, përgjegjësia është reale dhe nuk mund të relativizohet plotësisht. Bojkotimi si mjet politik është legjitim në parim, por në raste si zgjedhja e presidentit – që është funksion kushtetues dhe jo vetëm politik – ai bëhet i diskutueshëm. Opozita mund të argumentojë se po kundërshton një proces të imponuar ose kandidatura të papranueshme, por efekti praktik është bllokimi i institucioneve. Në këtë kuptim, është një kalkulim politik: fiton pikë te elektorati i vet, por rrezikon të shihet si faktor destabilizues në plan më të gjerë”, u shpreh Muhaxheri.

Këto bllokada, sipas tij, vetëm po e thellojnë polarizimin në peisazhin politik në vend.

“Kjo situatë, pa shumë dilemë, e thellon polarizimin. Kosova ka hyrë prej kohësh në një cikël ku çdo krizë politike prodhon edhe më shumë mosbesim mes palëve. Kur institucionet nuk funksionojnë normalisht, qytetarët e humbin besimin jo vetëm te partitë, por te vetë sistemi. Nëse kjo vazhdon, dëmi nuk është vetëm momental – krijon precedent që bllokada të tilla të bëhen normë, jo përjashtim”, tha ai.

“Në fund, ajo që po shihet nuk është thjesht krizë procedurale, por përplasje e modeleve politike: njëra që kërkon kontroll institucional përmes shumicës dhe tjetra që e përdor bllokimin si mjet presioni. Brenda kësaj përplasjeje, Osmani po përpiqet të qëndrojë mbi lojë – por në politikën kosovare, qëndrimi mbi lojë zakonisht nuk zgjat shumë pa u detyruar të zgjedhësh anë”, përfundoi Muhaxheri.

Ndërsa analisti Leon Duhanaj tha për Gazetën “Enigma” se mesazhi i fundit i ish-presidentes përmban elemente interesante.

“Deklarata e znj. Vjosa Osmani, përmes së cilës bën thirrje për unitet, përmban elemente interesante për figurën e saj. Znj. Osmani duket se ka ndryshuar në mënyrën e qasjes që kishte në të kaluarën. Nga një tip politikaneje grindavece, tashmë po e bën prioritet qetësinë dhe racionalitetin”, tha ai.

Ai tha se kjo është një lëvizje e mirë nga ana e saj, sepse ajo po synon “rehabilitimin” e saj përmes LDK-së.

“Kjo është mirë për shumë arsye, sepse nëse ajo synon rehabilitimin e saj përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet të gjejë gjuhë pajtimi me shumë figura, të cilat në një kohë i ka tradhtuar. Po ashtu, duhet të mësohemi si shoqëri që nuk jemi armiq të njëri-tjetrit, por kundërshtarë politikë, dhe antagonizmat duhet të mbesin në kuadër të konkurrencës politike, pa u personalizuar”, shtoi ai.

“Sa i përket fajësisë për bllokadat dhe destabilitetin politik në Kosovë, mendoj se ideatori dhe orkestruesi i gjithë kësaj katrahure është Albin Kurti me partinë e tij, Vetëvendosje. Për fat të keq, në këtë grackë ranë shumica e qytetarëve, të cilët ia besuan narracionin e tij, me ç’rast ia dhanë përsëri çelësat e bllokadës në dorë”, shtoi Duhanaj.

Ai tha se qytetarët e kanë kuptuar lojën e Kurtit dhe se qytetarët do ta ndëshkojnë përmes votës.

“Kurti duhet ta kuptojë se Kushtetuta dhe ligjet janë bazamenti i shtetësisë së Kosovës dhe se secili që bën shkelje flagrante mbi to, kryen një lloj agresioni ndaj rendit kushtetues dhe shtetësisë së Kosovës. Tani besoj se qytetarët e kanë kuptuar lojën e tij dhe do ta ndëshkojnë përmes votës.Madje, Albin Kurti ka paralajmëruar sërish se, nëse do të ketë fuqi vote, do ta çojë vendin përsëri në zgjedhje, sepse atij i konvenon kaosi politik, duke qeverisur vendin me një mandat të kufizuar në përgjegjësi, por që në praktikë nuk e pengon fare”, përfundoi ai.

Rikthimi i mundshëm tek LDK?

Së fundmi, është raportuar për dorëheqjen e Kujtim Shalës dhe Gazmend Muhaxherit nga kjo parti.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, i ka cilësuar këto raportime si shpifje, duke theksuar se nuk ka dorëheqje nga LDK.

Në fakt ajo la të nënkuptohej edhe më shumë.

“Kur nuk kanë argumente, shpifin, dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet”, tha Lushaku-Sadriu, duke shtyrë edhe më shumë narrativën se një ri-bashkim i Osmanit me LDK-në po ndodhë.

Të njëjtën e bëri edhe kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Edhe pse ende nuk po flitet diçka e drejtpërdrejtë, Abdixhiku tërthorazi pohoi një bashkim të Osmanit me partinë të cilën ai e drejton.

Përmes një shkrimi në Facebook, Abdixhiku tregoi se si partia e tij me 15 deputetët që kanë në Kuvend, e mbështetën Vjosën për presidente.

“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike”, tha Abdixhiku.

Të enjten edhe u takuan së bashku në një nga lokalet e Prishtinës, ku u tha se ishte vetëm “kafe mes miqësh”, teksa bashkimi politik mes tyre duket se është i pamohueshëm.

Kur do mbahen zgjedhjet e reja?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tani ka pak më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të tretat radhazi brenda rreth një vitit e gjysmë, ndërsa janë vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor, sipas Melos Kolshit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

E 7 Qershorin, raportohet se edhe vet KQZ-ja e ka takuar si datë më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pas takimit të kryetarit të saj, Kreshnik Radoniqit, me u.d Presidenten, Albulena Haxhiu./Gazeta Enigma/

Related Articles