Për disa muaj çështja e hapjes apo jo e Urës së Ibrit ishte kryetemë në gjitha diskutimet publike e paraqitjet e kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij, shkruan Gazeta Enigma.
E pas deklarimeve të ndërkombëtarëve, e zhurmës publike, ura vazhdon të jetë e mbyllur, ashtu sikurse diskutimet e ekzekutivit për këtë çështje.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha në një deklarim për Gazetën Enigma thotë se “ekzekutivi e ka lënë mënjanë këtë temë për shkak të sfidave të brendshme që kanë hasur”.
“Çështja e hapjes së Urës së Ibrit mbetet thelbësore për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe integrimin e plotë të qytetit të Mitrovicës. Megjithatë, ekzekutivi e ka lënë mënjanë këtë temë, ndoshta për shkak të sfidave të brendshme apo ndërkombëtare që po hasen. Mundësia që kjo Qeveri të ketë zgjedhur një qasje më të kujdesshme, për të evituar çdo rrezik të mundshëm për destabilizim, nuk mund të qëndroj duke pasë parasyshë se, që nga shtatori 2021 e deri me sot çdo veprim e vendim politik në Veri është kritikuar nga aleatët dhe ka përfunduar me vendime antikushtetuese dhe në dëm të interesave kushtetuese e kombëtare për Kosovën”, u shpreh Berisha.
Ndonëse është pro hapjes së Urës, deputeti Berisha beson se Qeveria duhet të ketë një plan të qëndrueshëm në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
“Për të përmbushur nevojat e qytetarëve dhe për t’i treguar ndërkombëtarëve se Kosova është e aftë ta mbajë situatën nën kontroll, qeveria duhet të ketë një plan të qartë dhe të qëndrueshëm, në bashkëpunim të plotë me ndërkombëtarët për shtrirjen e ligjshmërisë e kushtetutshmërisë në territor. Koha e duhur për hapjen e urës duhet të vijë kur Kosova të sigurojë paqen dhe stabilitetin që kërkon një proces i tillë. Ky është edhe qëndrimi këshillues i aleatëve”, tha ndër të tjera deputeti i PDK-së.
Ai thotë se askush nuk mund të fshihet pas deklaratave të përgjithshme mbi hapjen e urës dhe të lënë çështjen e hapur pa afat, pasi sipas tij “ekziston një marrëveshje ndërkombëtare me afat zbatimi që daton që nga janari i vitit 2017”.
“Situatat e atëhershme opozitare krijuan pasiguri për implementim dhe shkaktuan vonesa. Aktualisht, NATO, përmes komandantit të saj në Napoli, ka thënë se “nuk është momenti” për hapjen e urës’, theksoi Berisha për Enigmën.
Sipas tij Qeveria po e ndjek një skenar për të shpërqendruar popullin nga dështimet në të gjitha aspektet.
“Po ndiqet një skenar për të larguar vëmendjen nga dështimet në të gjitha aspektet e kësaj qeverie dhe për të mbështetur ndërsjelltas qeveritë në Beograd dhe Prishtinë, sa herë që ato përballen me kriza apo rreziqe për humbje të mbështetjes apo kauzë elektorale për fitore në zgjedhje”, tha deputeti Berisha.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj për Gazetën Enigma tha se e vetmja gjë që kryeministri ka bërë në veri është ngjyrosja e Urës së Ibrit.
“Kjo Qeveri për shkak të përformancës së keqe dhe punës së dobët pa asnjë investim kapital, duke dëmtuar cdo sektor të jetës qoftë të arsimit, shëndetsisë apo qoftë administratë publike, tendenca e kapjes së institucioneve, bordeve dhe duke parë që ska asgjë në lidhje me temën e Mitrovicës me i mbajtë elektoratin e vetë dhe votuesit e vetë gjoja se kinse në pjesën veriore po shtrihet sovraniteti e integriteti, por cdo herë qe Kurti ka vepruar pa u koordinuar me aleatët tanë shiheni se në cfarë situate e ka sjellë Kosovën, tani shteti jonë është i sanksionuar duke humbur miliona euro nga fondet e BE-së, por që rrezikon që edhe fondet e ndara për Ballkanin Perëndimor për këtë vit edhe ato të bllokohen sepse po e konsiderojnë si ‘nxitës’, i trazirave në pjesën veriore të Mitrovicës, tash me veprimin e fundit me Urën e Ibrit, kryeministri ka dashur të rikthejë shkëlqimin sepse nuk ka për çka të mburret e të shkëlqejë, por së paku për këtë periudhë kohore mirë ka bërë që e ka ngjyrosur Urën e Ibrit”, u shpreh Kadriaj për Enigmën.
“Pas vizitës së shefit të CIA-së në Kosovës – Qeveria, kryeminsitri, ministrat ranë në heshtje të plotë lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit”
Deputetja e AAK-së, potencoi se kryeministri është parë nga ndërkombëtarët si “nxitës” për incidente të cilat më së shumti i konvenojnë shtetit serb dhe atij rus e si pasojë Kosova është sanksionuar nga BE dhe ShBA.
“E krejt pas vizitës së shefit të CIA-së janë ‘shukatur’ Qeveria, kryeministri, e deputetët. Dhe në fund nuk ka asgjë, pasi që shefi i CIA-së ka pasur një mesazh të qartë lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit. Pasi që, nxitja e trazirave në këtë periudhë nuk është në favor të Kosovës, por i konvenon shtetit serb dhe Rusisë, kështu që normal gjithsecili që mundohet me nxitë ndonjë incident do të sanksionohet nga ShBA-së. Nuk mendoj së Ura do të hapet, Kurti do të mundohet edhe me ndonjë veprim të vogël para zgjedhjeve të bëj diçka. Premtuan se pas sulmit në Basnjkë nuk do të dialogojnë por ata po dialogojnë me shtetin serb me marrëveshje të cilat janë në dëm të Kosovës. Asociacioni i pranuar nga Kurti është me kompetenca ekzekutive dhe është një autonomi për pjesën veriore. Meqenëse e ka pranuar këtë marrëveshje po ndodh edhe presioni ndwrkombwtarw me u implementu kjo marrëveshje”, përfundoi Kadriaj për Enigmën.
Ura e Ibrit dhe Asiciacioni në një paralele?
Ndërkohë, analisti Branislav Kërstiç për Gazetën Enigma beson hapja e “Ura e Ibrit” është e pashmangshme, por do të ndodhë kur Kosova të nisë procesin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin beson se do të realizohet shumë shpejt.
Ai thekson se kjo hapje është e lidhur me përmbushjen e marrëveshjeve të Brukselit dhe angazhimeve ndërkombëtare të nënshkruara më 2013 dhe 2015, si dhe me aneksin e Ohrit që kryeministri Kurti insistoi të nënshkruhej.
Kërstiç gjithashtu beson se “hapja e urës nuk do të ndodhë para zgjedhjeve, pasi ndërkombëtarët nuk dëshirojnë të përfshihen në këtë proces zgjedhor, duke mos dëshiruar t’i japin një avantazh pushtetit aktual”.
”Jam i sigurt që hapje të urës nuk do të ketë para zgjedhjeve, sepse ndërkombëtarët nuk duan me hy në ketë fushatë zgjedhore, dhe me hapjen e urës me dhurua një dhuratë tek pushteti aktual”, ka thënë Kërstiç.
Ai është i bindur se hapja e urës nuk do të provokonte tensione, por do të ishte një lojë politike.
“Deri nuk plotësojmë marrëveshjet e Brukselit dhe kemi përgjegjësi për obligimet ndërkombëtare, që i kemi nënshkruar më 2013 dhe 2015-tën, dhe e kemi pranuarme aneksin e Ohrit, të cilën e ka insistuar kryeministri Kurti që të jetë e nënshkruar”, ka thënë Kërstiç.
Kujtojmë se ditë më parë Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi se nuk ka arsye ta mbajtur mbyllur urën e Ibrit.
Krasniqi theksoi se situata në veri është e qetë dhe se hapja e urës nuk do të ndikonte negativisht.
“Qytetarët kalojnë lirshëm nga veriu në jug dhe anasjelltas. Ne kemi ndërmarrë disa hapa për hapjen e saj… Nuk ka asnjë arsye që ajo të mbetet e mbyllur”, u shpreh Krasniqi./GazetaEnigma/