Dita-ditës dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po shkon duke u bërë më dinamik, e njëra nga ngecjet kryesore në këtë rrugëtim është çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën asnjëra palë nuk po e gjejnë ‘mesin e artë’, shkruan Gazeta Enigma.
Takimet e shpeshta me ndërkombëtarët, e bisedimet nga më të ndryshmet – gjithmonë stagnojnë tek Asociacioni.
Presioni mbi palën kosovare nga ndërkombëtarët është më i dukshëm për dallim nga pala serbe.
Së fundmi në Kosovë ka zhvilluar takim me krerët e vendit komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.
Ndër temat e ndryshme të cilat u biseduan mes komisionerit dhe krerëve të shtetit të Kosovës, nuk u la pa diskutuar edhe çështja e Asociacionit me shumicë serbe.
Ku komisioneri theksoi se BE-ja i ofron Kosovës mbështetje për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.
Varhelyi potencoi se nga të dy palët pret që sa më shpejtë të zbatohet marrëveshja Kosovë – Serbi pa kushte, me qëllim të normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
E përgjigja e shumë pritur nga ekzekutivi kosovarë, akoma nuk është dhënë lidhur me çështjen e Asociacionit.
Qeveria e Kosovës ka zgjedhur ‘të heshtë’ edhe pse zyrtarët amerikanë janë duke kërkuar versionin e palës kosovare sa i përket themelimit të Asociacionit.
Gjendje alarmante në veri, zbehen edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë – Serbi
Në veri të vendit, të premten u protestua në mënyrë jo paqësore nga komuniteti serb, për të parandaluar hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të zgjedhur të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.
Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Lulzim Hetemi (Leposaviq) dhe Ilir Peci (Zveçan) u betuan dje si kryetarë të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit, duke premtuar se do të qeverisin në mënyrë të ndershme dhe në përkim me interesat e qytetarëve, pa dallim etnie.
Por, betimi i secilit prej tyre nuk është bërë në objektet komunale të komunave përkatëse, pasi këto të njëjtat nuk janë liruar nga strukturat paralele serbe.
I gjithë operacioni ka qenë i koordinuar me organet shtetërore dhe Policinë e Kosovës, e cila çdo çast e më shumë shtohej në numër.
Nga këta të fundit, pesë zyrtarë policorë janë lënduar, dhe janë dëmtuar katër automjete zyrtare, njërës prej tyre i ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në terësi.
Njësia Speciale i është bashkangjitur Policisë së Kosovës, bashkë me patrullat e KFOR-it dhe EULEX-it.
Tri vetura të EULEX-it janë sulmuar gjithashtu.
A mund të penalizohet Kosova nga ndërkombëtaret nëse nuk do të shpalos ndonjë version për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe?
Eksperti i çështjeve ndërkombëtare Akri Çipa, në një prononcim për Gazetën Enigma theksoi se Kosova gjendet në një pozitë delikate për shkak të gabimeve të vazhdueshme tash e 10 vite që nga firmosja e Marrëveshjes së Brukselit.
“Kosova ndodhet në një pozitë delikate sot për shkak të gabimeve të vazhdueshme që janë bërë përgjatë 10 viteve të fundit, që nga firmosja e Marrëveshjes së Brukselit ku Kosova e mori përsipër angazhimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Veçanërisht që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015, i cili nënvizoi faktin se disa prej parimeve të paraqitura në statutin e Asociacionit nuk ishin në përputhshmëri me frymën kushtetuese, Kosova e ka humbur në mënyrë të ripërsëritur betejën për të kontrolluar narrativën rreth saj. Për fat të keq, kjo ndodh edhe sot, teksa përfaqësuesit e Kosovës vazhdojnë të mos arrijnë dot të kthejnë rrjedhën e debatit për Asociacionin dhe, fatkeqësisht, suksesin e Serbisë për ta përdorur atë si element bllokues të të gjithë dialogut“, u shpreh Çipa.
Sipas tij pasiviteti nga negociatorët kosovarë në dialog mund t’i kushtoj Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë, mbi të gjitha ai potencoi se përfaqësuesit e Kosovës duhet të jenë këmbëngulës në lidhje me propozimin e Asociacionit dhe se një çështje e tillë nuk duhet t’i lihet në dorë të dërguarit special të BE-së Miroslav Lajçak.
“Është normale që Kosova dhe të gjithë përfaqësuesit e saj, mbi të gjitha ata të përfshirë drejtpërdrejt në dialog, duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të matur. Megjithatë, koha ka treguar se pasiviteti rrezikon të shndërrohet në kosto për Kosovën, mbi të gjitha në raport me marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Në këtë aspekt, vizioni i propozuar nga kryeministri Kurti për Asociacionin në takimin e fundit në Bruksel është një sinjal pozitiv, por përfaqësuesit e Kosovës duhet të tregohen shumë më këmbëngulës për ta bërë atë në propozimin mbi të cilin të qendërzohet debati për Asociacionin“, theksoi Çipa.
Ndër të tjera potencon se paraqitja e draftit nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar ishte një gabim dhe nuk duhet të tolerohet.
“Nuk mund të tolerohet më një gabim i tillë si mundësia që iu dha Ekipit Menaxhues, tashmë të shkarkuar, për të paraqitur një draft në Bruksel që bie ndesh katërcipërisht me Kushtetutën e Kosovës. Sikurse dhe nuk duhet t’i lihet në dorë konceptimi i Asociacionit të Dërguarit të Posaçëm Miroslav Lajçak. Ky i fundit, me qëndrimet e tij dhe, mbi të gjitha, me paaftësinë ose mos-dëshirën për të tejkaluar pengesat dhe bllokimet e përsëritura të Beogradit, po diskrediton gjithmonë e më shumë pozicionin e tij dhe të Bashkimit Europian që përfaqëson. Përfaqësuesit e Kosovës nuk duhet kurrsesi ta delegojnë përsëri çështjen e Asociacionit te një individ ose një institucion që nuk ka kredibilitet të plotë”, vazhdoi ai.
Eksperti gjendjen në të cilën gjendet Kosova nuk e sheh si ‘qorrsokak’, por që në rast se nuk do të ketë ndonjë propozim rreth themelimit të Asociacionit nga përfaqësuesit kosovarë, Republika e Kosovës do të vazhdojë të barazohet me shtetin serb si ‘planprishëse’ dhe ‘jo-konstruktive’.
“Për fat të keq, kjo situatë është e komplikuar, por nuk duhet parë si një qorrsokak. Për vetë këmbënguljen publike dhe private të përfaqësuesve ndërkombëtarë, kërkohet një alternativë zgjidhjeje nga Kosova. Në të kundërt, është e qartë se, në mos si fajtorja më e madhe, Kosova do vazhdojë të barazohet me Serbinë si planprishëse dhe jo-konstruktive. Dhe ky është një pozicion ku Kosova nuk duhet kurrsesi të gjendet, për vetë nevojën e domosdoshme që ka për mbështetje sa më të madhe dhe gjithëpërfshirëse nga partnerët perëndimorë, si në proceset e brendshme, ashtu edhe në raport me integrimin e saj të plotë në platformat ndërkombëtare”, përfundoi Çipa për Enigmën.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, në një prononcim për Gazetën Enigma deklaroi se përpjekjet e BE-së që t’u mundësoj Ballkanit Perëndimor të avancojnë qëllimet euro-atlantike, janë disa nga shkaqet për çështjet e pazgjidhura në veri të Kosovës.
“Përpjekjet e vakëta të BE-së për t’u mundësuar shteteve të Ballkanit Perëndimor që të avancojnë ambiciet euro-atlantike janë pjesë e arsyes së çështjeve të pazgjidhura në veri të Kosovës. BE-ja mund ta transformojë këtë dinamikë duke vendosur perspektiva më të qarta për anëtarësim si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, tha Shabani.
Sipas tij e vetmja mënyrë për zgjidhjen e konfliktit në Ballkanin Perëndimor, është realizimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Por, nga ana tjetër shihet se kjo është e vetmja rrugë për ta zgjidhur konfliktin shumë vjeçar në Ballkanin Perëndimor, duke realizuar marrëveshje Kosova me Serbinë. Kjo u kërkua edhe nga diplomatët amerikan, ku mes tjerash, senatorët demokratë amerikanë, Chris Murphy, një anëtar i komitetit të marrëdhënieve me jashtë, dhe Gary Peters, i cili është pjesë e komitetit të shërbimeve të armatosura, u kërkuan të dy vendeve të veprojnë shpejt në lidhje me marrëveshjen e arritur në mars me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ata janë pjesë e një delegacioni të Kongresit që viziton Ballkanin”, vazhdoi ai.
Ndër të tjera sipas analistit Shabani, themelimi i Asociacionit nga përceptimi i palës kosovare bie në kundërshtim më Kushtetutën e vendit, kurse qëllimi i shtetit serb është që përmes themelimit të saj të ketë kompetenca ekzekutive.
“Mendoj se heshtja e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij propozimi nga BE dhe SHBA është për faktin se ka qëndrimin se politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën. Sa i përket Serbisë, insiston që Asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive. Krerët e shtetit serb kanë thënë se nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit, nëse Kosova nuk nis punën për themelimin e Asociacionit”, përfundoi Shabani.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje për Gazetën Enigma ka folur edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
Sipas tij edhe pala kosovare edhe ajo serbe në këtë rrugëtim janë duke bërë “shoë” për interesa elektorale.
“Qeveria e Kosovës edhe ajo serbe po bëjnë ‘shoë’ për interesa elektorale më shumë, por ekziston një marrëveshje më 2013 dhe 2015 dhe është arritur një marrëveshje në Ohër e panënshkruar por e zotuar dhe kjo marrëveshje meqë ka qenë e ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA atëherë kjo është obligative dhe të dyja palët mund të taktizojnë por obligimet i kanë të barabarta me zbatu atë. Asociacioni është nënshkruar edhe ai duhet të zbatohet në variantin që e ka deklaruar përfaqësuesi i SHBA-së dhe i BE-së, të mos ketë kompetenca ekzekutive”, u shpreh Haliti.
Haliti theksoi se sa më gjatë që do të ‘shtyhet’ propozimi nga pala kosovare për themelimin e Asociacionit, do të jetë gabim për ne.
“Sa më gjatë që e shtyjmë është gabim, sepse Serbia i ka tri variante të veprimit në veri dhe në territorin e Kosovës dhe ne duhet t’i mbyllim strategjitë e Serbisë me zgjidhjen e këtij problemi. Pra duhet të shënohen kufijtë, të bëhet demarkacioni mes dyja vendeve dhe të filloj procesi urgjent i dyja vendeve me hy në BE. Ky është obligim dhe tani me mentalitetin e shekullit të kaluar nuk shkohet dhe nuk mund të zgjidhen problemet evropiane”, përfundoi Haliti për Enigmën./GAZETAENIGMA/