Në seancën e 8 qershorit për herë të tretë ka dështuar në Kuvend votimi në parim i projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ky projektligj u propozua nga Qeveria e Kosovës, por që deputetët e partisë në pushtet ndajnë mendime të kundërta për përmbajtjen e ligjit.
Ndërkohë përfaqësues të subjekteve opozitare e fajësojnë partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje se nuk po arrijnë t’i sigurojnë 61 vota për ta kaluar këtë ligj.
Sipas tyre për këtë projektligj nevojitet një shumicë e thjeshtë dhe është obligim i Qeverisë që ti siguroj numrat në Kuvend nga partia shumicë.
Rahmani: Kundërshtojmë fuqishëm që avancimet shkencore e teknologjike të keqpërdoren ne shkatërrimin e familjes
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se ne si deputet në parim nuk janë kundër këtij projektligji, por që nuk pajtohen me disa pika që i pëmban ai.
“Fillimisht ne si deputet nuk jemi kundër këtij ligji në parim, mbështesim plotësisht që qiftet e martuara që kanë probleme të krijojnë familje dhe të bëhen prindër tu mundësohet që përmes avancimeve shkencore e teknologjike të kenë mundësin e përjetimit të ndjenjës së qenurit nënë dhe baba”, ka deklaruar ai.
“Kundërshtojmë fuqishëm që avancimet shkencore e teknologjike të keqpërdoren ne shkatërrimin e familjes dhe paraqitjes se rreziqeve të ndryshme që mundë të vijnë ne të ardhmen nga ligje të tilla”, tha Rrahmani për “Enigmën”.
Tutje ai ka theksuar se “jemi kundër këtyre pikave të këtij ligji që cenon integritetin e familjes, gruas, burrit e mbi të gjitha fëmijëve”.
Sipas Rrahmanit tre pika në ligj nuk duhet të kalojnë assesi.
Njëra ndër to është “Fertilizimi i asistuar mjekësor është e drejtë edhe e gruas së pamartuar”, si dhe “Të drejtë shfrytëzimi të FAM, ka edhe gruaja e pa martuar, mbi 18 vjeç, e cila sipas moshës dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe sociale është e aftë për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.
Ai e kundërshton edhe nenin i cili thotë se “Çdo burrë mbi 23 vjeç ka të drejtën e sterilizimit pa lejen e Komisionit për vlerësim mjekësor në institucionin shëndetësor përkatës”.
AAK-ja pro projektligjit, por fajëson qeverinë së s’po arrijnë ta kalojnë
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaja, ka dhënë një koment për dështimin e miratimit të këtij ligji në Kuvend.
Ajo në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se “është një projektligj që nevojitet një shumicë e thjeshtë dhe është obligim i Qeverisë që mazhorancës me i sigurua numrat”.
Sipas saj dështimi i miratimit të këtij projektligji vjen për shkak të probleme që LVV dhe deputetët e saj kanë brenda partisë.
“Unë me sa e di kanë votuar edhe deputetë të opozitës, por problem është brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve të tyre që kanë opinione dhe qëndrime të ndryshme në raport me këtë temë”, tha Kadrijaj për “Enigmën”.
Tutje ajo ka deklaruar se AAK është pro këtij projektligji.
“Ne si parti jemi pro këtij vendimi, por disa herë kur ka qenë votim nuk kemi qenë prezent për shkak të punëve dhe obligime, por nuk jemi kundër këtij projektligji”, ka deklaruar ajo.
“Parimisht është e drejtë e secilit të vendosin dhe të votojnë sipas dëshirës por është detyrë e mazhorancës që ti siguroj numrat dhe ti votoj këto projektligje, sepse këto projektligje po sjellën nga Qeveria e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Musliu-Shoshi: Nuk kem nevojë me votu ligje të cilat kryeministri nuk i bind as deputetët e vet që duhet me u votu
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka kujtuar kohën kur kryeministri, Albin Kurti ishte në opozitë dhe nuk kishte votuar asnjë ligj që ishte propozuar nga PDK ose ndonjë parti tjetër sa ishte në pushtet.
Musliu-Shoshi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se përderisa kryeministri nuk mundet me i siguru votat nga deputetët e partisë së tij si mundet të na bind neve si opozitë që ato ligje janë të mira për ti votuar.
“Albini nuk e ka votua asnjë ligj sa ka qen Partia Demokratike apo partitë e tjera në pushtet. Ne si Parti Demokratike nuk jemi kundër këtij projektligji mirëpo Albini duhet me i sigurua 61 vota me kalua ligjin pastaj ne e votojmë”, tha ajo.
Tutje ajo ka theksuar se “nuk kem nevojë me votu ligje të cilat Albini nuk i bind as deputetët e vet që duhet me u votua”.
Sipas saj ligjet që propozohen nga Qeveria fillimisht duhet t’i sigurojnë votat për ta kaluar atë ligj, e pastaj të kërkoj votën edhe ne.
“Këto janë ligje që kanë ardhur nga Qeveria dhe Qeveria duhet me i pas votat me e kalua. Përderisa Albini nuk i bind deputetët e vet se ky është një ligj i mirë nuk ka mundësi me i bind deputetët e opozitës që është ligj që duhet me u votua”, tha Musliu-Shoshi për “Enigmën”.
Kujtojmë se ky projektligj ka nxitur debat në vend që kur u prezantua për herë të parë para deputetëve.
Projektligji parasheh që shërbimi IVF të aplikohet edhe në sektorin publik, pasi deri tash mundësohej vetëm në klinikat private në Kosovë dhe jashtë vendit. /GAZETA ENIGMA/