Pesë vrasje për 48 orë: Kosova përballë sfidës së sigurisë

Pesë vrasje për 48 orë: Kosova përballë sfidës së sigurisë

Për 48 orë Kosova u trazua nga 5 vrasje në qytete të ndryshme, shkruan Gazeta Enigma.


Pesë persona kanë mbetur të vdekur, kurse një burrë po lufton me jetën në QKUK, pasi mbeti i plagosur në Gjilan.

Ngjarja më e fundit u shënua mbrëmjen e së hënës në Hajvali të Prishtinës, ku një 41-vjeçar u vra me armë zjarri pas një mosmarrëveshjeje të dyshuar në komunikacion.


Policia e Kosovës konfirmoi se viktima ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa personi i dyshuar është identifikuar dhe po kërkohet.

E një tragjedi tjetër u shënua të dielën e 10 gushtit, kur një vrasje e trefishtë ndodhi në qendër të Gjilanit.

Si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir. Më vonë vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në spital.


I dyshuari kryesor për këtë ngjarje është Mefail Shkodra, i cili bashkë me dy djemtë e tij ndodhet ende në arrati.

Lidhur me këtë vrasje të trefishtë, janë suspenduar katër zyrtarë policorë.


Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

“Bazuar në autorizimet ligjore dhe në rëndësinë e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan”, thuhet në komunikatë.

Mbrëmjen e 10 gushtit në Prizren, një person u ther për vdekje me thikë në lagjen “Tusuz”. I dyshuari është arrestuar nga Policia.

Por, cilat janë shkaqet kryesore që po çojnë në rritjen e rasteve të vrasjeve në Kosovë?

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, potencoi se shkalla e kriminalitetit gjatë sezonës së verës është në rritje.

“Në statistikat e kriminologjisë, qoftë para lufte apo edhe viteve pas lufte, tregojnë se në kohën e verës zakonisht rritet kriminaliteti: qoftë vjedhjet, plaçkitjet, vrasjet, etj. Kjo nuk e arsyeton në asnjë mënyrë këto vrasje që po na ndodhin”, tha ai për Gazetën Enigma.

“Vetëm muajin e kaluar patëm disa vrasje, tani më kemi edhe katër vrasje brenda një kohe të shkurtër. Kjo tregon se niveli shoqëror, vetëdija shoqërore tek ne është ende e ulët. Ndikojnë disa faktorë pse vjen deri te kjo pikë, për shkak se në këtë kohë rritet ekonomia, rritet qarkullimi i njerëzve, rriten edhe kërkesat për blerje e të tjera”, deklaroi Islami për Enigmën.

Ndërkaq, avokati Jetullah Aliu theksoi se policia duhet të ndërmarrë veprimet që i takojnë.

“Jemi në shekullin 21 dhe kemi një pjesë shumë të madhe të monitoruar me kamera. Kemi një pjesë shumë të madhe ku mund të merren veprime të ndryshme hetimore.”

Ish-shefi i hetimeve në IPK ka thënë se në këto raste ndikon edhe mungesa e institucioneve.

“Kjo është duke ardhur pak edhe si rezultat i mosformimit të institucioneve të Kosovës, sepse shumica e institucioneve janë me ushtrues të detyrës, punojnë me raste ‘ad hoc’,” përfundoi Aliu.

Për këto ngjarje që kanë tronditur vendin, Partia Demokratike e Kosovës mbajti një konferencë për media sot.

Abelard Tahiri nga kjo parti ka thënë se rastet tronditëse të pesë vrasjeve të rënda në 48 orët e fundit “janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve”.

Tahiri theksoi se Kosova po kalon nëpër një gjendje alarmante të sigurisë, “ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga pushteti”.

“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhinjtë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës ju shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësimin e madh për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë,” tha ai.

Tahiri, duke theksuar tri nga rastet që faktojnë lidhjen e bandave kriminale me eksponentë të pushtetit, tha se kjo situatë është një thirrje alarmi për të gjithë.

Ndër të tjera, Policia e Kosovës bëri të ditur se “gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2024 kanë ndodhur shtatë vrasje. Po ashtu, gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2025, shtatë vrasje”. /Gazeta Enigma.

Related Articles