Pas një kohe të gjatë, sot me vendtakim në Bruksel do ballafaqohen Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti do të udhëtojë sot për në Bruksel për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, si dhe të dy liderët paraprakisht i pret takim i ndarë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet të takohet me kryeministrin Kurti në orën 15:00.
Ndërsa, në orën 16:15, Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell pritet të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti gjatë gjithë kohës ka deklaruar se Marrëveshja me Serbinë do e ketë njohjen në qendër dhe se ndryshe nuk do diskutonte me Serbinë. Por ajo që është thënë deri më tani kjo marrëveshje veç njohje nuk do të ketë, të paktën jo njohje ‘de-jure’.
Krejt çfarë është thënë në agjendën e 27 shkurtit, është se fokusi i takimi do të jetë mbi propozimin e Bashkimit Europian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa Emisari i BE’së, Miroslav Lajçak, ka thënë se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian.
Në komunikatën e lëshuar nga ZKM-ja thuhet se në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.
“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, ka njoftuar zyra e Kryeministrit
Krejt çfarë ka thënë Kurti në Parlamentin e Kosovës, është se Propozimin Europian e ka konsideruar si bazë të mirë, ndërsa në mesin e karakteristikave që përmendi ishte se propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes së dy Gjermanive, se përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës e se marrëveshjet e arritura deri më tani duhej të zbatoheshin.
Ai gjithashtu ka lënë të nënkuptohet se do e pranojë këtë propozim pasi sipas tij Kosova do të hynte në një konfrontim me shtetet perëndimore dhe se do përballet me pasoja siç janë ndëshkimet diplomatike etj./ Gazeta Enigma.