Kurti (s)i ka numrat – Edhe 5 ditë përfundon afati për formimin e qeverisë së re

Kurti (s)i ka numrat – Edhe 5 ditë përfundon afati për formimin e qeverisë së re

Afati kushtetues për formimin e Qeverisë po shkon drejt fundit, ndërsa ende nuk ka indikacione se mandatari për formimin e ekzekutivit të ri, Albin Kurti ka arritur t’i bind partitë për t’a siguruar shumicën e nevojshme, shkruan Gazeta Enigma.

Atij i mbesin edhe pesë ditë afat.

Kujtojmë se Kurti është mandatuar nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Ai ka deklaruar se nëse nuk arrihet formimi i qeverisë, alternativa tjetër janë zgjedhjet e reja, duke theksuar se opozita nuk ka vullnet për ta bërë një qeveri të re.

Megjithatë, meqë LVV ka përjashtuar PDK-në nga bisedimet, opsionet për formimin e një qeverie janë të kufizuara, ndërsa më të hapur për bashkëpunim duket të jenë LDK-ja dhe disa parti më të vogla.

Kurti të martën ka bërë të ditur edhe propozimet për bashkëpunim me Fatmir Limajn dhe partinë NISMA.

“Me partinë GUXO, që i kanë gjashtë deputetë, jemi marrë vesh për dy ministra – Donika Gërvalla në Ministrinë e Jashtme dhe Faton Peci në atë të Bujqësisë. Tash, me NISMËN kam qenë i gatshëm t’ia jap një ministri, nënkryetarin e Kuvendit dhe dy zëvendësministra. Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar, për shkak të përfaqësimit gjinor dhe peshës elektorale”, tha Kurti.

Nëse deri më 26 tetor nuk ndodh formimi i Qeverisë nga partia e parë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia jap mundësinë partisë së dytë, që në këtë rast është PDK-ja, për ta provuar formimin e Qeverisë.

A pritet të ketë Qeveri të re?

Analisti politik Avni Arifi në një prononcim për Gazetën Enigma vlerësoi se LVV ende nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me partitë politike për formimin e Qeverisë.

“Është e vështirë të prognozohet diçka lidhur me Qeverinë ‘Kurti 3’, kur Vetëvendosje nuk ka bërë të ditur se ka siguruar shumicën e duhur parlamentare,” tha Arifi.

Sipas tij, në rast të mungesës së shumicës, vendi mund të shkojë në zgjedhje në fillim të dhjetorit.

“Nëse LVV nuk e ka këtë shumicë, atëherë duket se vendi do të ketë zgjedhje në fillim të dhjetorit,” përfundoi ai.

Edhe analisti Azem Vllasi shprehet pesimist se do të ketë një Qeveri “Kurti 3”, sepse po t’i kishte numrat për formim, ajo do të ishte bërë shumë më herët.

“Nuk pres që të ketë Qeveri ‘Kurti 3’, sepse nëse do të donte ta formonte qeverinë bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo qeveri do të ishte formuar shumë më herët sipas atyre rezultateve. Është e qartë që nuk ka tjetër qeveri përveç një qeverie koalicioni, dhe për të duhet gjetur një partner koalicioni – por kjo nuk është dëshira e kryeministrit Kurti,” u shpreh Vllasi për Enigmën.

Gjithashtu, ai theksoi se “nëse me të vërtetë dëshiron ta formojë qeverinë, ajo mund të bëhet me një partner tjetër”.

“Zgjedhja më e mirë do të ishte menjëherë pas zgjedhjeve, si koalicioni më i natyrshëm do të ishte VV-ja me LDK-në, sepse LDK-ja është një parti më e moderuar”.

Më tej, Vllasi tha se ka mungesë të vullnetit nga akterët politikë për formimin e Qeverisë.

“Mungesa e vullnetit për një qeveri me koalicion më bën të mendoj që nuk do të formohet qeveria. Kurti e sheh që mund të qeverisë dhe kështu do të vazhdojë derisa të mundet,” përfundoi ai./ Gazeta Enigma/

Related Articles