Muhaxheri: Shpesh krijohet përshtypja se diaspora trajtohet nga VV si pronë e tyre politike

Muhaxheri: Shpesh krijohet përshtypja se diaspora trajtohet nga VV si pronë e tyre politike

“Thirrja e hapur që po u bëhet bashkatdhetarëve në diasporë nga Lëvizja Vetëvendosje për ta mbështetur këtë subjekt tregon se partisë po i rrëshqet diaspora nga duart dhe se nuk është më elektorati “i sigurt” që e kanë konsideruar për vite me radhë. Në fakt, shpesh është krijuar përshtypja se diaspora trajtohet si pronë e tyre politike, si një votë e garantuar me tapi”, deklaroi analisti Arton Muhaxheri.

Por sipas tij realiteti ka ndryshuar.

“Diaspora tashmë prej kohësh ka filluar ta shpërndajë votën nëpër të gjitha partitë, duke votuar sipas bindjes, jo sipas presionit apo emocionit partiak. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë herë: vota e diasporës do të jetë shumë më e fragmentuar dhe shumë më pak e kontrollueshme nga cilado parti, përfshirë Vetëvendosjen”, ka theksuar ai.

Muhaxheri në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se partitë opozitare kanë gjasa reale të rrisin rezultatin, ndërsa rënia për koalicionin VV–Guxo–Alternativa dhe PSHDK duket e pashmangshme nëse trendet vazhdojnë kështu.

“Ajo që mund të thuhet në këtë fazë është se fakti që partitë – përveç LVV-së – kanë zgjedhur të garojnë pa koalicione formale nuk është domosdoshmërisht dobësi. Secila po tenton ta maksimalizojë votën në mënyrën e vet: disa përmes prurjeve të reja, disa përmes rifreskimit të listave, e disa duke synuar votues të zhgënjyer nga cikli i kaluar”, deklaroi Muhaxheri.

Tutje ai ka theksuar se nga ajo që shihet aktualisht, zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin një ndryshim të dukshëm në raport me zgjedhjet e fundit.

“Partitë që deri tani kanë qenë në opozitë kanë gjasa reale të rrisin rezultatin, ndërsa rënia për koalicionin VV–Guxo–Alternativa dhe PSHDK duket e pashmangshme nëse trendet vazhdojnë kështu”.

Kujtojmë se partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë në KQZ listat për deputetë me të cilat garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Gazeta Enigma/

Related Articles