Qeveria përballë protestave

Qeveria përballë protestave

Protesta e paralajmëruar për të martën nga Njësia Speciale Intervenuese, ajo për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe të tjerave brenda Policisë së Kosovës është pezulluar, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kjo protestë ishte e paralajmëruar që të mbahej mesditën e së martes, por u pezullua pasi kryeministri i vendit Albin Kurti ka premtuar që javën e ardhshme do t’i pres në takim zyrtar menaxhmentin e Policisë së Kosovës tha Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha.

“Deri te pezullimi i protestës ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së, gjatë takimit me këto njësi u ka informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka premtuar që javën e ardhshme do t’i presë në takim zyrtar menaxhmentin e PK-se së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për t’i diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje”, konfirmon zyra për media e këtij institucioni.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, i cili tha se nuk e dinë datën e saktë se kur pritet të ndodh takimi me kryeministrin e vendit.

“Ne kemi qenë në kontakt me ta që do të pezullohet dhe që kryeministri do t’i takojë ata në një takim javën e ardhshme. E tash çka do të del nga takimi nuk mund të supozojë. Ata janë fokusuar më shumë në dy kërkesa dhe pse ka dhe kërkesa tjera. Edhe pse këto janë kërkesat e Policisë së Kosovës, përmirësimi i shtesës për rrezikshmëri, të pakënaqur janë të gjithë, sigurimi në shëndetësi, ligji për pensionim, shujtat për polici, etj. Ju e dini që ne sindikata kemi një peticion dërguar në Kuvend të Kosovës dhe po presim një përgjigje”, deklaroi Zeqiri për “Enigmën”.

Tutje ai ka theksuar se në momentin që ndodh ky takim edhe këta si Sindikat e Policisë duhet të jenë pjesë e këtij takimi.

“Mendoj që duhet të jemi prezent në atë takim, për shkak se jem pjesë e atij procesi. Është thënë javën e ardhshme, por nuk ka ndonjë datë të caktuar”.

Ndryshe përfaqësues të FIT-it thanë se jemi njësi elite e Policisë së Kosovës, ne me këto pakënaqësi përballemi tani e 10 vite.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga sot, por më shumë se 10 vite kemi marr premtime e asnjëra nuk është realizuar. Tek Ligji i pagave edhe pse kemi kërkuar ndryshim para nëntë muajsh, kërkesat tona nuk janë realizuar”.

Kujtojmë se kërkesat e FIT-it janë kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

Shtyhet edhe protesta e punëtorëve të KEK-ut

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka shtyrë protestën lidhur me rritjen e pagave dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime.

Protesta ishte planifikuar të mbahej të martën nga ora 11:00.

Këtë e kanë konfirmuar vetë ata përmes një njoftimi zyrtarë duke thënë se arsyeja e mosmbajtjes së kësaj proteste të thirrur është që shpresojnë në realizimin e kërkesave të tyre.

“Sot, pas një takimi të gjatë me kryesuesin e bordit drejtues dhe menaxhmentin e KEK-ut, kemi arritur në një marrëveshje që na jep shpresë dhe besim se kërkesat tona do të realizohen. Kryesuesi i bordit drejtues dhe menaxhmenti i KEK-ut është zotuar për të kryer kërkesat tona dhe ka premtuar se do të vazhdojë dialogun me sindikatat për të adresuar çështjet e punëtorëve në mënyrë të drejtë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje ata janë shprehur se këto janë vetëm premtime dhe se janë të gatshëm për të vazhduar me veprime të tjera sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.

Kujtojmë se protesta kundër Qeverisë Kurti ishin organizuar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) kundër Ligjit për pagën minimale.

Po ashtu protesta ka pasur edhe nga specializantët.

Arianit Zajmi, nga këshilli organizativ, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se protestat janë organizuar “për mospagesën e kujdestarive sipas Ligji të ri të Pagave si dhe për mospagesë fare të kujdestarive me subvencione prej muajit shkurt”.

Ndërsa minatorët e “Trepçës” muajin e kaluar ishin në gravë.

Minatorët kërkuan realizim të pagave me kohë, shkarkim të menaxhmentit si dhe sigurimet shëndetësore.

“Ju njoftojmë se sot me datë: 24.10.2023 Minatorët e Minierës me Flotacion, janë futur në grevë brenda në minierë (në galeri) dhe kërkesat e minatorëve janë: Realizimi pagës mujore me kohë nga data: 06-10.Shkarkimi i menagjmentit (kryeshefit)Sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës. Me Fat!“, thuhet në njoftimin e tyre të lëshuar për media.

Kujtojmë se në Kosovë punëdhënësi më i madh është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar, ku paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.

Ndërsa në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles